Tiranë, 28 shkurt 2011, NOA – Nisja e projektit më të madh të infrastrukturës rrugore, ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan duket edhe më i afërt pasi 3 mars do të shpallen të hapura ofertat ekonomike në tenderin ku do të marrin pjesë kompanitë më të njohura nga e gjithë bota. Këtë e bëri publike sot Kryeministri Sali Berisha, i cili gjatë mbledhje së sotme të grupit parlamentar tha se “një projekt nga më madhorët e këtij viti fillon të nisë dhe të marrë jetë shumë shpejt”.
“Fondi është tërësisht i siguruar, natyrisht duhet të pranojmë që kostoja është e lartë, por duhet të pranojmë se rëndësia e tij është jetike. Ky tunel dhe kjo autostradë, përbën segmentin më të rëndësishme të dy korridoreve të mëdha, të korridorit ndërkombëtarë, të korridorit të 8 dhe të korridorit tjetër kombëtarë siç është boshti i jugut”, theksoi shefi i mazhorancës.
“Mendoj se ndërtimi i kësaj vepre ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse vërtet një zonë, e cila banohet së paku mbi një milion shqiptarë, shkurton në mënyrë të ndjeshme distancën me Tiranën dhe i jep Shqipërisë krejtësisht një konfigurim të ri. Elbasanin e bën qytetin dhe më të afërt se Durrësin e afron më shumë”, vlerësoi shefi i ekzekutivit. Sipas kryeministrit kompanitë e angazhuara në këtë tender janë ndër më të mëdhatë dhe më të mirat në Europë dhe në botë, duke premtuar rishtas se koha e ndërtimit do të jetë 18 muaj.
Kryeministri Berisha siguroi në këtë kontekst se “tuneli Tiranë-Elbasan do të inaugurohet në fillim të vitit 2013”.
Ai theksoi se në këtë përurim ai do të ftojë edhe grupin anti-tunel, pasi sikundër tha shefi i qeverisë “edhe ata do të shkojnë në Elbasan pastaj me tunelin”.
mit/NOA