English

OSBE: Zgjedhjet vendore, në afatin kushtetues

Tiranë, 28 shkurt, NOA – Në takimin me kryeministrin Sali Berisha Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Marc Perrin De Brichambaut ka theksuar rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në datën e caktuar. Në njoftimin e publikuar nga Kryeministria theksohet se përfaqësuesi i OSBE-së ka kërkuar që zgjedhjet të mbahet në afatin kushtetues

“Sekretari i Përgjithshëm Brichambaut se në Shqipëri ekzistojnë të gjitha kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike dhe se këto zgjedhje duhet të mbahen në afatin e tyre kushtetues. Ai rikonfirmoi mbështetjen e plotë të kryesisë së radhës së OSBE-së për këtë çështje. Sekretari i Përgjithshëm gatishmërinë e Organizatës për të kontribuar nëpërmjet ekspertizës dhe vëzhgimit që zgjedhjet e 8 majit të ruajnë standardet e larta të konstatuara nga ODIHR dhe ti çojnë ato më tej”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë në lidhje me takimin.

Nga ana tjetër kryeministri e siguroin Brichambaut për angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të garantuar një proces zgjedhor në përputhje me angazhimet e OSBE-së. Duke falënderuar për dërgimin e misionit të vëzhgimit, ai u shpreh në favor të dhënies së hapësirave maksimale për vëzhguesit ndërkombëtarë si një mënyrë për të kontribuar në transparencën dhe në cilësinë e zgjedhjeve.

Ai shprehu mbështetjen e plotë për rekomandimin e parë të raportit të OSBE/ODIHR ku kërkohet kontributi i qenësishëm nga çdo forcë politike përfshirë dhe opozitën, në mbajtjen dhe rritjen e këtyre standardeve. Në përfundim, Kryeministri siguroi Sekretarin Brichambaut për angazhimin e tij që Shqipëria të mbetet një demokraci funksionale dhe shtet i së drejtës.

Jashtë temës së bisedës nuk ka mbetur dhe ngjarja e 21 janarit. Kryeministri ka theksuar se qeveria dhe mazhoranca është e palëkundur për të mbrojtur dhe respektuar në të njëjtin nivel të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës si garanci efektive për këto të drejta. Kryeministri shprehu shqetësimin se ky hetim nuk po përfshin të gjithë aktorët e 21 Janarit, mbi të gjitha aktorët që projektuan tentativën për përmbysjen anti- kushtetuese të organeve të zgjedhura me votë.

Ai gjithashtu shprehu shqetësimin që mbas më shumë se 1 muaj hetim, Prokurorja e Përgjithshme me nxjerrjen e vazhdueshme në media të dokumenteve të procesit hetimor po dëmton në mënyrë të rëndë jo vetëm profesionalizmin, por dhe mundësinë për një hetim të plotë e të paanshëm.

Në takim, Kryeministri u ndal tek reformat e qeverisë shqiptare që nga viti 2005, në luftën kundër korrupsionit dhe për mirëqeverisjen e vendit, duke rritur transparencën dhe efikasitetin e qeverisjes. Berisha theksoi se lufta kundër korrupsionit është dhe mbetet prioritet i reformave të qeverisë. Kryeministri vlerësoi lart punën e njësisë së përbashkët hetimore të udhëhequr nga Prokuroria në goditjen e korrupsionit, por ai nënvizoi se asimetria në goditjen e tij, duke mos penalizuar korrupsionin e qeverisë socialiste apo të të zgjedhurve të saj vendor, si dhe duke mbyllur mbi 40 çështje të ngritura ndaj Kryetarit të Bashkisë dhe Liderit të Opozitës, është një politikë penale e cila dëmton efikasitetin dhe besueshmërinë e luftës ndaj korrupsionit.

a.k/NOA

KOMENTE