English

Rikthimi i opozitës maqedonase në Kuvend, sot afati i fundit

Shkup, 28 shkurt, NOA – Dita e sotme shënon afatin e fundit që mazhoranca maqedonase i ka caktuar opozitës së vendit të saj për rikthimin në parlament, pas bojkotit me kërkesën për të realizuar kushtet mbi zgjedhjet e parakohshme.

Ka qenë vetë kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski i cili ka theksuar se ky është afati i fundit për kthimin e opozitës në Parlament, pasi kanë dështuar deri tani disa takime për të tejkaluar mosmarrëveshjet.

“Është e pakuptimtë që ata që kërkojnë zgjedhje, në vend që të bisedojnë për pikat e propozuara për zgjidhje, ata i bëjnë obstruksione procesit”, theksoi Veljanovski.

Nga ana tjetër, ai bëri me dije se nëse opozita nuk i përgjigjet kërkesës së mazhorancës, gjithsesi, kjo e fundit do të jetë e detyruar ta vazhdojë e vetme rrugën e saj në zbatim të reformave në vend.

Por LSDM kërkon që pa zgjidhjen e kërkesave të saj nuk do të kthehet në Parlament dhe do të bojkotojë zgjedhjet.

Kjo parti kërkon zhbllokimin e llogarive bankare të televizionit A1 dhe tre gazetave ditore të lidhura me biznesmenin e paraburgosur Velija Ramkovski, pastrimin e listave zgjedhore, ndarjen proporcionale të mjeteve të buxhetit për reklamim tek mediat, ndryshimet e Kodit zgjedhor, etj.

n.e/NOA

KOMENTE