English

Shamku: Gratë protestë kundër Berishës

Tiranë, 28 shkurt, NOA – Deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shmaku ftoi sot të gjitha gratë dhe nënat që të marrin pjesë në protestën që do të organizojë PS-ja në 8 mars.

“Ka 20 vjet që fëmijët tanë dëgjojnë gjuhën e dhunës e urrejtjes të Sali Berishës e që shohin modelin më të keq të mundshëm të politikës, Saliun, që shan, kërcënon, shantazhon e shpif për këdo e për gjithkënd. Prandaj në 8 mars duhet të protestojnë të gjitha nënat shqiptare kundër këtij njeriu që po ua gjymton të ardhmen fëmijëve tanë”, tha sot në një konferencë për mediat deputetja Shamku.

Ajo ka theksuar se është e papranueshme që në mitingjet e mazhorancës marrin pjesë fëmijë dhe studentë.

“Të gjithë e kemi parë sesi zbrazen shkollat e universitetet kur bën mitingje e koncerte Sali Berisha. Jo nga dëshira e nxënësve e studentëve për të parë Saliun, por sepse njësoj si në komunizëm, edhe sot, 20 vjet më pas, Sali Berisha vazhdon të abuzojë me fëmijët tanë duke i përdorur ata për të mbushur salla e sheshe si të ishin bagëti e jo e ardhmja e këtij vendi”, tha Shamku.

Ai u shpreh se kjo është një arsye se përse “më 8 mars të gjitha nënat e këtij vendi duhet të ngrihen për t’i thënë ndal këtij regjimi, që veç emrin e ka demokratik, por që sillet me fëmijët tanë njësoj si në kohën e Enver Hoxhës”.

Ajo u bëri apel të gjitha grave që të jenë në shesh në datën 8 mars.

“Në 8 mars ne shesh, për t’u solidarizuar me të gjitha ato nëna që Saliu i ka veshur me të zeza e më të gjithë ata fëmijë që ai i ka lënë jetim në emër të korrupsionit e makutërisë së pushtetit të tij. I ftojmë të gjitha gratë, nënat, motrat tona që të na bashkohen për një protestë të madhe në këtë ditë të shënuar për të gjitha ne, në 8 mars, kjo ditë kur më shumë se kurrë kemi detyrimin karshi vetes dhe njëra tjetrës të ngremë zërin në emër të të drejtave tona, në emër të së ardhmes së fëmijëve tanë dhe për t’u rikthyer grave dinjitetin e nëpërkëmbur nga ky pushtet”, tha Shamku.

a.k/NOA

KOMENTE