Vjenë, 28 shkurt 2011, NOA – Grupi socialist në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së ka shprehur sot shqetësimin mbi zhvillimet e fundit në Tiranë, që pasuan demonstratën e 21 janarit dhe vrasjen e katër demonstruesve. Në një deklaratë të bërë gjatë sesionit të dimrit të Asamblesë parlamentare të OSBE-së, Grupi socialist i saj dënoi dhunën dhe përdorimin e armëve të zjarrit kundër demonstruesve të paarmatosur, që rezultoi në një numër të vrarësh dhe dhjetëra të plagosur, përfshirë dhe gazetarë.
Kryetari i Grupit socialist të asamblesë parlamentare të OSBE-së, Tony Lloyd shprehu më tej keqardhjen për humbjen e jetëve dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të ndihmojnë në qetësimin e situatës.
Lloyd u bëri thirrje autoriteteve që të lejojnë një hetim të pavarur dhe të plotë të këtyre ngjarjeve në mënyrë që të nxirren përpara drejtësisë përgjegjësit për dhunën dhe për vrasjet.
“Ne e mirëpresim dialogun dhe mjetet paqësore për zgjidhjen e problemit të Shqipërisë, por insistojmë se liria e fjalës dhe e drejta për të protestuar paqësisht janë vlera themelore për të gjitha vendet anëtare të OSBE-së, shkruhet në deklaratën e bërë nga grupi socialist i Asamblesë parlamentare të OSBE-së.
mit/NOA