English

Topalli-Brichambaut: Respektoni ligjet në raport me zgjedhjet vendore

Tiranë, 28 shkurt 2011, NOA – “Koha është në anën tuaj. Është e rëndësishme që të gjithë të respektojnë ligjet dhe detyrimet kushtetuese në raport me zgjedhjet e ardhshme lokale. Procesi për zgjedhjet e majit do të ecë përpara”. Kështu u shpreh sot gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Marc Perrin de Brichambaut, i cili ka mbërritur sot në Tiranë në krye të një delegacioni.

Brichambaut theksoi se në një vend demokratik është mjaft e rëndësishme që Kushtetuta dhe shteti ligjor të respektohen nga çdokush.

Gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e rëndësishme që OSBE ka ofruar ndaj Shqipërisë, ndërsa vlerësoi rolin e OSBE-së në çertifikimin e zgjedhjeve të vitit 2009, si zgjedhje që plotësuan standardet.

Ajo përmendi rinumërimin e votave nga Prokuroria në Shkodër, si dëshminë absolute të standardeve më të larta të zgjedhjeve të 28 Qershorit.

Duke iu referuar zgjedhjeve vendore, zonja Topalli theksoi rëndësinë që ka vazhdimi i përgatitjeve për zgjedhjet vendore të 8 majit si dhe angazhimi për zgjedhje të lira, transparente dhe të ndershme sipas standardeve evropiane.

“Ne jemi vend demokratik, dhe sistemi ynë ka si parim themelor votën e lirë, respektin për Kushtetutën dhe detyrimet kushtetuese. Ne besojmë në këto parime”, tha Kryeparlamentarja Topalli, e cila theksoi njëherësh edhe rëndësinë e dërgimit të sa më shumë vëzhguesve të OSBE-së për monitorimin e zgjedhjeve vendore.

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Marc Perrin de Brichambaut theksoi rëndësinë që ka respektimi i detyrimeve kushtuese për zgjedhjet vendore të 8 majit nga ana e të gjitha partive politike.

Gjatë takimit ku merrte pjesë edhe Kreu i Prezencës së OSBE-së, në Tiranë, Eugen Ëollfarth, Kryetarja e Kuvendit dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së ndanë të njëjtin mendim, se duhet një hetim gjithëpërfshirës dhe i pavarur i ngjarjes së 21 janarit.

Në këtë drejtim, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi asistencën e partnerëve tanë në ndihmë të procesit të hetimeve.

“Organizatorët e rrethimit për 5 orë të Kryeministrisë, me njerëz të armatosur e të inkriminuar, në tentativën e dështuar për të rrëzuar përmes dhunës një qeveri legjitime, do përgjigjen para ligjit, pavarësisht se deri më sot një titullar institucioni, apo dy, janë të interesuar që kjo të mos ndodhë. Paralajmërimi i atyre që thanë se : “13 mijë kufoma janë asgjë”, ngjan si dy pika uji vetëm me Gedafin. Shqiptarët nuk pranojnë dhunën. Me 21 janar ata braktisën njeriun e dhunës”, bëri me dije Kryetarja e Kuvendit.

Një vlerësim të veçantë, Kryetarja e Kuvendit shprehu edhe për bashkëpunimin e Parlamentit me OSBE-në në kuadër të rritjes së profesionalizmit të administratës.

Ajo shprehu sakaq angazhimin për vijimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

mit/NOA

KOMENTE