English

Ulrike Lunacek: E shqetësuar për procedurat e zgjedhjes së institucioneve

Bruksel, 28 shkurt, NOA - “Kam qenë e shqetësuar me disa procedura të votimit gjatë zgjedhjeve të institucioneve. Për këtë arsye, presidenti duhet të zgjidhet nga populli, në mënyrë që të mos ketë ndonjë lloj presioni dhe loje në Parlament”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, raportuesja për Kosovën e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek. Zonja Lunacek, në Kosovë janë zgjedhur institucionet e reja, por partitë opozitare, kanë thënë se nuk e njohin legjitimitetin e institucioneve të zgjedhura, për shkak të, siç janë shprehur, shkeljeve kushtetuese. Ju keni qenë e pranishme gjatë procesit të zgjedhjes. Keni vërejtur shkelje?

Nuk mund të gjykoj, sepse nuk i di detajet e Kushtetutës, e as rregullat e procedurave se si zgjidhet presidenti. Këtë duhet ta qartësojnë institucionet e Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese. Unë më shumë kam qenë e shqetësuar për mënyrën se si janë zhvilluar procedurat. Por, nuk mund t’i gjykoj detajet e procedurave, sepse nuk e di se çka thotë statuti, çka thonë rregullat e procedurave për zgjedhjen e presidentit. Për këtë u takon institucioneve të Kosovës të vendosin.

Megjithatë, pse i kishit këto shqetësime?

Isha atje. Mori shumë kohë. Nganjëherë nuk kishte qartësi se si duhet të ecë procesi dhe pastaj mendoj se do të duhej të kishte qartësi para se të niste i tërë procesi. Duhej të kishte qartësi se si do të rridhte procesi. Kam qenë në Parlament për 10 apo 12 vjet deri më tash, por nganjëherë janë disa gjëra që nuk janë të qarta. Kisha ndjenjën se kishte konfuzion, prandaj për të ardhmen duhet të ketë qartësi.

Mendoj se gjëja më e rëndësishme është, dhe secili e ka thënë edhe në Kosovë, se duhet të ndryshohet ligji dhe se presidenti duhet të zgjidhet nga populli, me qëllim që të evitohet çdo lloj presioni, apo loje në Parlament lidhur me këtë. Mendoj se do të ishte hap shumë i rëndësishëm dhe mendoj se duhet të jetë ndër hapat e parë që duhet të ndërmarrë koalicioni dhe Parlamenti i ri.

Sidoqoftë, si i shihni institucionet e reja?

Isha atje kur u mbajtën zgjedhjet dhe, siç e kam thënë më herët, ka pasur parregullsi. Tash kemi Qeveri të re dhe mendoj se do jetë shumë e rëndësishme që kjo Qeveri dhe koalicioni në Parlament të ecë shumë shpejt me miratimin e Ligjit të ri zgjedhor, i cili do të siguronte se në të ardhmen, gjatë zgjedhjeve, nuk do të përsëriteshin parregullsitë që i kemi parë. Për shembull, të ndryshohet mënyra se si është hartuar lista e hapur, meqë kjo ka shkaktuar shumë konfuzione për votuesit, po ashtu edhe gjatë numërimit, ku isha edhe vetë e pranishme. Kjo duhet të ndryshohet në zgjedhjet e ardhshme. Po ashtu, nuk duhet të ketë më vetëm një zonë zgjedhore për Kosovën, por disa. Ka shumë çështje që duhet ndryshuar në Ligjin e ri zgjedhor, që është premtuar edhe nga kryeministri Thaçi. Mendoj se për të treguar se ka gatishmëri politike për t’i ndryshuar gjërat dhe që në të ardhmen të mos ketë mashtrime dhe parregullsi, Parlamenti i ri dhe koalicioni duhet ta miratojë këtë ligj sa më parë. Gjithashtu, duhet të sigurohet se të gjitha ata komisionarë që janë akuzuar për mashtrime gjatë zgjedhjeve, të sillen para gjykatës. E di që ky proces ka filluar, por do të ishte shumë e rëndësishme të ndalohet kjo kulturë mosndëshkimi që kemi parë në të kaluarën. Ka shumë gjëra, me të cilat duhet të merret menjëherë Qeveria, me qëllim që të dëshmojë para publikut, i cili ka shqetësime se kjo qeveri është në të vërtetë ajo që do ta çojë përpara Kosovën. Ajo duhet t’iu dëshmojë njerëzve se e ka seriozisht përparimin ekonomik, që të krijojë vende të reja pune për të rinjtë. Po ashtu, mendoj se do të ishte me rëndësi të investonte në energji, në energjinë e ripërtërishme, që do të jetë një gjë e re. Mendoj se shenjë pozitive është ajo, që siç më është thënë, në Qeverinë e re nuk është askush ndaj të cilit po zhvillohet proces hetimi nga ana EULEX-i, apo... Kjo është një shenjë pozitive që dua ta përmend për Qeverinë e re.

Meqë në një formë po flisni për reputacionin, shumë vëzhgues pohojnë se tani nuk është koha e duhur për Kosovën të hyjë në këto bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, me një imazh të lënduar ndërkombëtarisht. Cili është mendimi juaj?

Mendoj se është e rëndësishme për Qeverinë që të përcaktojë qartë se çka dëshiron nga dialogu. Dëgjova që Edita Tahiri, të cilën e vlerësoj si person dhe si politikane, do ta udhëheqë dialogun për Kosovën. Do të jetë e rëndësishme për Kosovën që të definojë se çka dëshiron të nxjerrë nga ky dialog për qytetarët e Kosovës. Duhet të ketë përmirësime dhe Serbia duhet të lëshojë pe, si në çështjen e dokumenteve, të tregtisë etj. Ka shumë fusha ku ka probleme, që ne i quajmë teknike, por që ua vështirësojnë jetën qytetarëve të Kosovës. Këto gjëra duhet të përcaktohen, meqë për to edhe Bashkimi Evropian është i interesuar të ketë përmirësime. Është thënë disa herë që ky dialog nuk duhet të ketë asgjë që do t’i referohej statusit. Po ashtu, është edhe rezoluta e fundit e Parlamentit Evropian mbi raportet me Serbinë, ku edhe është potencuar kjo. Kështu që, mendoj se Qeveria e Kosovës duhet ta bëjë të qartë se çka dëshiron të nxjerrë nga ky dialog për qytetarët e Kosovës dhe për Republikën e Kosovës.

A mendoni se do të përfitojë Kosova nga ky dialog, meqë shumë thonë, e në veçanti opozita, se Serbia do të fitojë statusin e kandidates për në BE, por Kosova asgjë?

E kam thënë edhe më herët, unë kam luftuar shumë që dialogu për vizat me Kosovën të ecë përpara. Por, gjithashtu duhet që Qeveria e Kosovës të thotë diçka, se çka dëshiron nga ky dialog. Kjo duhet të dalë nga institucionet e Kosovës dhe është e sigurt se Serbia duhet të lëshojë pe në disa elemente, me qëllim që ta përmirësojë jetën e përditshme të qytetarëve dhe të ekonomisë së Kosovës. Duhet të ketë përmirësime. Dhe, kështu shihet edhe në BE, të paktën tek ata që po e udhëheqin dialogun.

A mendoni se BE-ja duhet t’i ofrojë Serbisë statusin e kandidatit, ndërsa problemi me Kosovën nuk është zgjidhur? Ju keni thënë më herët se nuk duhet pranuar Serbia në BE pa e njohur Kosovën?

Po, shpresoj se do të ndodhë kjo. Mendoj se nuk ka gjasa që ndonjë trup në BE do të pranonte ndonjë shtet tjetër që ka probleme me kufij - kemi pasur rastin me Qipron dhe kjo nuk do të ndodhë sërish. Por, tash dua edhe që Kosova edhe Serbia të shpërthejnë drejt BE-së dhe për këtë duhet bërë disa gjëra në Kosovë, por natyrisht edhe Serbia duhet të bëjë shumë, në mënyrë që të ketë progres.

Tash kur janë krijuar institucionet e Kosovës, çka duhet pritur nga to, në lidhje me liberalizimin e vizave, apo... edhe nga BE-ja?

Unë, me aq sa po mundem, po bëj presion te BE-ja, te Komisioni, në mënyrë që të fillojë dialogu për vizat. Por, po ashtu kjo është e lidhur me vizitën e fundit të delegacionit të Komisionit në Kosovë në dhjetor, ku është thënë se ka disa gjëra që duhet bërë në terren në Kosovë, p.sh. të sigurohet programi i riatdhesimit, të cilin Qeveria e kaluar e ka nënshkruar me disa shtete, që të krijohen lehtësi edhe nëpër komuna për t’i riatdhesuar njerëzit që janë kthyer. Nëse Qeveria e re tregon përparim dhe gatishmëri për ta bërë këtë, kjo do të ndihmonte shumë që Komisioni dhe Këshilli të shkojnë përpara me dialogun për vizat. Unë, personalisht, do të veproja kështu dhe e kam thënë edhe më parë, por nuk më takon mua që të vendos për këtë.

REL

KOMENTE