Lezhë, 28 Shkurt 2011 NOA – Plaçkitje në masë e linjave elektrike në qarkun e Lezhës, duke shkaktuar zhytjen për orë të tëra në errësirë të shumë zonave për shkak të papërgjegjshmërisë së disa hajdutëve ordinerë.
Vjedhja e radhës ka ndodhur pak ditë më parë, kurse arrestimi i tre të dyshuarve është bërë pasditen e sotme.
Burime zyrtare nga policia e Lezhës i thanë agjencisë NOA se pas një pune disaditore të shërbimeve të fshehta të Policisë së Komisariatit Rrëshen në bashkëpunim me Policinë e Komisariatit Lezhë, bënë të mundur arrestimin në flagrancë të tre personave.
Ata janë Petrit Prend Ndreaj, 32 vjeç, banues në fshatin Fushë Kuqe të rrethit Kurbin, i cili rezulton person i shpallur në kërkim dhe i dënuar nga Gjykata për veprën penale të “Vjedhjes në bashkëpunim”, Alban Pashk Çuni, 30 vjeç, banues në fshatin Laç të rrethit Kurbin dhe Fran Palë Vokrri, 50 vjeç, banues në Lagjen nr.4 në qytetin Laç të rrethit Kurbin.
Arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme teli përcjellës të linjave elektrike.
Këta shtetas dyshohen si autorë dhe për disa vjedhje të tjera, të telit të linjave elektrike, të tensionit të mesëm.
Policia tha se në cilësinë e provës materiale u sekuestrua sasia e telit të vjedhur nga tre hajdutët.
e.t/NOA