Elbasan, 1 Mars 2011- NOA- Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Sh. T. Z. Marc Perrin de Brichambaut, i cili prej dy ditësh ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë, një rëndësi të veçantë i kushtoi edhe Uzinës së Lëndëve Plasëse (ULP) Mjekës, Elbasan.
Së bashku me delegacionin që e shoqëron, de Brichambaut, ishte këtë të martë në Elbasan, ku pa nga afër punën dhe instalimin e linjave të reja të vendosura për demontimin e municioneve në ULP Mjekës, atje ku sot kryhet një nga proceset më të rëndësishme të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në këtë vizitë, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, shoqërohej nga zv/ ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia, Komandanti i Brigadës Logjistike (BrL), gjeneral brigade Xhemal Gjunkshi, zv/kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, njëkohësisht deputeti i Qarkut të Elbasanit, Ardian Turku, kreu i Qarkut Blendi Himçi, Prefekti Shefqet Deliallisi si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm.
Pas një briftingu të shkurtër, i cili u prezantua nga Drejtori i ULP-së, Daniel Karanxha, të pranishmit vizituan nga afër ambientet, linjat e demontimit të municioneve, sharrat të cilat shërbejnë për çmontimin dhe prerjen e predhave, etj.
Në përfundim të kësaj vizite Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, de Brichambaut, iu përgjigj interesit të gazetarëve duke shprehur konsideratat më të larta për të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces. “Unë do të doja t’ju përgëzoja fillimisht për këtë punë kaq profesionale dhe të plotë që bëhet në këtë uzinë. Kjo është një punë që po kryhet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe mesa duket, bashkëpunimi midis Qeverisë Shqiptare dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë, është një sukses i madh. Objektivi që ju i keni vënë vetes për të mbaruar me çmontimin e gjithë këtij municioni të tepërt brenda vitit 2013, besoj që është një objektiv i cili i qetëson të gjithë. Duhet të jetë një punë e mbaruar, kështu që ju përgëzoj edhe një herë”.
Nga ana e tij, zv/ministri Spahia, pasi e ka falënderuar Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, de Brichambaut, për mbështetjen e vazhdueshme që OSBE dhe vendet partnere po i japin Shqipërisë tha: “Siç e dini ne trashëguam nga sistemi i kaluar municione dhe lëndë kimike të mbetura nga e kaluara, të cilat përbënin një kërcënim serioz, për sigurinë e vendit dhe jetën e qytetarëve. Mazhoranca e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha, ka vendosur një objektiv, që brenda vitit 2013 të asgjesohen të gjitha municionet e tepërta dhe jashtë nevojave për Forcat e Armatosura. Gjatë vitit të shkuar, ne shënuam një sukses të vërtetë, sepse u arrit që të demilitarizohen 20. 654 ton municione. Sigurisht, një kontribut të jashtëzakonshëm për arritjen e këtij suksesi, kanë dhënë gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe OSBE-në, e cila ka kontribuar drejtpërdrejt në këtë proces shumë të rëndësishëm, duke eliminuar një sasi prej 30 ton karburant të raketave të tipit “MELANZH”, ka kontribuar për asgjesimin e 120 ton kimikate të tipit DI-KLORETAN, sigurimin e disa aparateve plasëse për Qendrën e Asgjesimit të Municioneve të FA, mbështetjen e uzinave me paisje për demilitarizimin e municioneve, duke vendosur 6 sharra për prerjen e municioneve në Kombinatin e Poliçanit dhe ULP Mjekës, si dhe një gjenerator në Gramsh. Gjejmë rastin të falënderojmë përzemërsisht prezencën e OSBE-së në Tiranë, për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë, jo vetëm për të gjitha proceset demokratike në Shqipëri, por edhe për procesin e demilitarizimit në vendin tonë”, nënvizoi zv/ministri Spahia.
Qeveria Shqiptare, Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura synojnë të përfundojë në vitin 2013 asgjësimin e gjithë arsenalit gjigand të municioneve stok sovjeto-kinez, të mbetur në ish-depot dhe uzinat ushtarake që nga koha e diktaturës komuniste.
Procesi i asgjësimit të tij filloi në vitin 1999, si plotësim i një prej kushteve të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë demokratike në NATO dhe shmangies së rrezikut potencial për popullsinë nga shpërthimi i tyre. Deri në vitin 2013 duhet të bëhet asgjësimi i gjithë municioneve të tepërta.
a.y/NOA