English

De Brichambaut nga Elbasani: Respektoni procesin zgjedhor

Elbasan, 1 mars 2011, NOA – Pas vizitës në Durrës, gjatë ndalesës në Uzinën e Lëndëve Plasëse në Mjekës të Elbasanit ku pa nga afër punën për instalimin e linjave të reja për demontimin e municioneve, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Marc Perrin de Brichambaut, i bëri rishtas thirrje forcave politike të respektojnë Kushtetutën, institucionet e pavarura dhe procesin zgjedhor të 8 majit.

Zyrtari i lartë i OSBE-së duke theksuar se OSBE do të vijojë ta ndihmojë Shqipërinë në zgjedhjet vendore të 8 majit, nënvizoi të njëjtin apel për politikën shqiptare që sipas tij është “partitë politike duhet të respektojnë Kushtetutën, institucionet e procesin zgjedhor”.

De Brichambaut th më tej se i takon popullit të zgjedhë ata që do në krye të tij, andaj sipas de Brichambaut politikanët duhet të kenë besim tek njëri-tjetri.

Thirrjet e sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së vijnë këto ditë pas apelit gati të përditshëm të kreut të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth.

Qeveria shqiptare i ka kërkuar OSBE-së që për arsye të transparencës të sjellë një numër edhe më të madh vëzhguesish në zgjedhjet vendore të 8 majit, me qëllim që të mos krijohet asnjë precedent kontestimi i zgjedhjeve vendore, një thirrje e cila duket se është mbështetur nga OSBE.

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Marc Perrin de Brichambaut ndodhet prej dy ditësh në Shqipëri në kuadër të një vizite zyrtare për të parë nga afër situatën politike parazgjedhore.

mit/NOA

KOMENTE