English

Edhe Ylber Hysës po i ngutet

Nga Lëvizja VETËVENDOSJE!

Para pak ditësh, koordinatori qeveritar i strategjisë së Qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it për integrimin e veriut të Kosovës, Ylber Hysa, e vizitoi Beogradin. Ai mori pjesë në një konferencë të organizuar nga Tanjug-u lidhur me negociatat e ardhme mes Prishtinës e Beogradit, të cilat Qeveria e Kosovës tashmë i ka pranuar, duke caktuar po ashtu si udhëheqëse të ekipit nga Kosova zv.kryeministren, Edita Tahiri. Emërimi i Edita Tahirit si kryenegociatore e ekipit nga Prishtina, që shënoi vendimin e parë të Qeverisë pas themelimit, si dhe pjesëmarrja e Ylber Hysës në konferencën e Beogradit, tregojnë se Qeverisë së Kosovës për negociata madje po i ngutet më shumë se vetë Serbisë. Por, në të njëjtën kohë, një gjë e tillë do të thotë se ajo që i përcakton prioritetet e Qeverisë së Kosovës nuk janë hallet e mjerimi social e ekonomik i popullit, por agjenda politike e Serbisë.

Në këtë konferencë Hysa tha se palët duhet të bisedojnë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe mbi parimin e “fqinjësisë së mirë”. Qëndrimet e tij janë shenjë e degradimit tërësor të projektit politik të Qeverisë ndaj integritetit territorial të Kosovës. Para më shumë se një viti Hysa e filloi punën e tij si koordinator qeveritar për strategjinë mbi veriun e Kosovës, kurse sot, për shkak të qasjes zyrtare qëllimisht moskokëçarëse të institucioneve tona ndaj këtij problemi përgjatë viteve, veriu po rrezikon të përfundojë si çështje për t’u negociuar me Serbinë, ashtu siç kanë paralajmëruar shumë zyrtarë të huaj. Kjo i tregon “sukseset” e Qeverisë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit. Strategjia e Qeverisë së Kosovës për veriun po përfundon në tryezë të Beogradit. Ylber Hysa është korrieri i kësaj pune.

Në anën tjetër, shumica e mediave tona u përqendruan në çështje margjinale të vizitës së Hysës. Ai tha se fakti që ka shkuar në Beograd me pasaportë të Kosovës flet për raportet e saj me Serbinë. Në të vërtet, ajo që do të duhej të na shqetësonte është fakti pse Beogradi nuk i pranon pasaportat e Kosovës kur flitet për popullin tonë, apo për shumë figura politike e intelektuale të cilat kërkojnë drejtësi në raport me Serbinë, por e pranon vetëm Ylber Hysën? Cilido qytetar tjetër i Kosovës përveç Ylber Hysës nuk do të mund ta kalonte kufirin e Serbisë me pasaportë të Republikës së Kosovës e madje as me dokument udhëtimi të UNMIK-ut. Bile as ata që kanë lindur në Preshevë, Medvegjë a Bujanoc por tani jetojnë në Kosovë nuk mund të shkojnë në vendlindje pa dokumente të Serbisë. Pse Ylber Hysa është përjashtim për Serbinë? A mos ndoshta për qëndrimet e tij politike të cilat Serbia i di paraprakisht? Ylberi i bëri një shërbim shumë të madh Serbisë në negociatat e Vjenës. Si udhëheqës i delegacionit në negociatat për trashëgiminë kulturore ai ia fali Serbisë të kaluarën tonë historike. Serbia i pranon vetëm ata që i levërdisin dhe i binden.

KOMENTE