Athinë, 1 mars 2011, NOA- Prej disa kohësh Greqia është përfshirë në një situatë të vështirë, si nga ana ekonomike edhe nga ana e revoltave dhe protestave në popull.
Si pasojë e protestave dhe pakënaqësive të shumta ndaj qeverisë dhe situatës ekonomike në të cilën ndodhet vendi, rreth 250 emigrantë u futën në një grevë urie në ditët e fundit të muajit të parë të vitit, pasi krahas pamundësive ekonomike, emigrantët nuk ishin të pajisur me leje qëndrimi dhe kërkonin nga qeveria që ti pajiste me një të tillë.
Si rrjedhojë e grevës e cila nisi në fund të janarit, pas pesë javësh grevë urie, rreth 60 emigrantë u dërguan gjatë pasdites në spitalet greke, si rrjedhojë e gjendjes së tyre tepër të dobët shëndetësore.
Mësohet se shumica e emigrantëve janë nga Afrika e Veriut dhe gjendja e tyre u bë veçanërisht shqetësuese në ditët e fundit, pasi ata vendosën të përshkallëzonin grevën duke hequr dorë edhe nga lëngjet. Si pasojë e këtij akti disa prej emigrantëve kanë pësuar kolaps të veshkave. Ndërkaq jo vetëm emigrantët por edhe vetë shtetasit grekë prej kohësh ndodhen në vështirësi pune.
a.y/NOA