Presioni ndërkombëtar për largimin e udhëheqësit libian, Muamar Gadafi, po rritet, derisa Qeveria libiane ndërmori gjatë orëve të fundit operacione të reja për të rikthyer kontrollin në qytetet që janë në duart e forcave anti-qeveritare.
Ministrat e jashtëm nga vende të ndryshme të botës, të mbledhur në Gjenevë në kuadër të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, kërkuan nga Gadafi të largohet, në mënyrë që të shmanget dhuna e mëtejshme. Llogaritet se rreth 1,000 njerëz kanë vdekur gjatë dy javëve të protestave anti-qeveritare.
Forcat e Gadafit kanë përdorur aeroplanë luftarakë kundër qyteteve të Misuratës dhe Al-Zauijas, që janë dy nga qendrat kryesore të kontrolluara nga opozita.
Në Al Zauija, forcat anti-qeveritare i janë kundërpërgjigjur sulmit dha kanë vrarë 10 ushtarë qeveritarë. Banorët e këtyre qyteteve presin që luftimet të vazhdojnë dhe në ditët në vazhdim.
Forcat pro Gadafit deklaruan se kanë marrë kontrollin e pikave të kalimit me Tunizinë. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se është koha që Gadafi të largohet.
“Kolonel Gadafi dhe ata rreth tij duhet të mbajnë përgjegjësi për këto veprime që janë në kundërshtim me detyrimet ligjore ndërkombëtare, por dhe me arsyen e shëndoshë. Përmes veprimeve të tyre, ata kanë humbur legjitimitetin për të qeverisur dhe populli i Libisë ia ka bërë të qartë vetes se është koha që Gadafi të ikë, të ikë tani pa e çuar dhunën në një tjetër nivel”, tha Klinton e cituar sot nga radio Evropa e Lirë.
Klinton theksoi se Uashingtoni po vinte kontakte me libianët në veri të vendit, ku forcat anti Gadafit kontrollojnë një pjesë të mirë të territorit. Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme dhe të përgatitura për çdo lloj ndihme ndaj këtyre forcave.
Shefja e diplomacisë amerikane nuk pranoi informacionet se planet ushtarake, ku përfshiheshin dhe anijet ushtarake amerikane, ishin në pritje, por përsëriti qëndrimin e administratës Obama se asnjë opsion nuk është hequr nga tryeza.
Reagimet nga Gadafi kanë qenë plotësisht të ndryshme. Duke folur me gazetarë perëndimorë në Tripoli, Gadafi qeshi kur u pyet nëse planifikon të largohet. Ai shtoi se populli libian e do. Gadafi la të kuptonte se Shtetet e Bashkuara e kishin braktisur dhe se Uashingtoni synonte që ta pushtonte vendin e tij.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i diplomacisë amerikane përmes ambasadores në Kombet e Bashkuara, Suzën Rajs.
“Komentet e Gadafit tingëllonin jashtë realitetit. Gadafi mund të qeshë kur flet me gazetarë amerikanë e ndërkombëtarë derisa po masakron popullin e tij. Kjo vetëm dëshmon dhe një herë sa i papërshtatshëm është ai për të udhëhequr dhe sa i shkëputur është nga realiteti”, tha Rajs.
Departamenti amerikan i Thesarit ka ngrirë pasuri të Libisë në vlerë prej 30 miliardë dollarësh.
Zërave kundër dhunës në Libi i është bashkuar dhe minsitri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
“Përdorimi i forcës ushtarake kundër popullsisë civile, siç po ndodh në Libi, ku qindra civilë raportohen të vrarë, është i papranueshëm. Rusia e dënon një dhunë të tillë dhe kërkon ndalimin e menjëhershëm të saj dhe respektim të plotë të ligjit humanitar ndërkombëtar”, tha Lavrov.
Kryeprokuori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Luis Moreno Okampo, tha se kanë filluar hetimet parparake rreth dyshimeve për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat proqeveriare të Muamer Gadafit.