English

KKS: Përfshini studentë në listat e partive për këshilltarë në zgjedhje

Tiranë, 1 mars 2011, NOA - Këshilli Kombëtar Studentor i ka dërguar sot një letër të hapur partive parlamentare duke u bërë thirrje atyre të përfshijnë studentë në administratën vendore dhe në procesin zgjedhor. Këshilli Kombëtar Studentor në letrën dërguar partive kërkon që të angazhojnë sa më shumë studentë në procesin zgjedhor të 8 majit.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Studentor, Qamil Dika, thekson në letër se studentët duhet të përfshihen si kandidatë për këshilltarë bashkiakë e komunash apo edhe si anëtarë të KQV-ve dhe KZAZ-ve.

Qamil Dika, kreu i KKS-së, shkruan më tej se “është shumë e rëndësishme që studentët të jenë pjesë e këtij procesi, për të shpalosur energjitë pozitive dhe vizionin e ndërtimit të Shqipërisë evropiane”.

Sipas tij përfshirja dhe angazhimi i studentëve në këtë proces është një hap që nuk duhet anashkaluar për t’u dhënë të rinjve një alternativë më shumë për ndërtimin e së ardhmes së tyre.

Dika bën me dije në letër se “KKS për t’i paraprirë këtij procesi ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me KQZ-në me synim edukimin e zgjedhësve të rinj studentë, ndërgjegjësimin e komunitetit studentor për rëndësinë e pjesëmarrjes në votime si dhe procesin zgjedhor si dhe angazhimin e tyre në administratën zgjedhore nëse partitë politike të caktuara nuk marrin pjesë në proces”.

Letra e KKS i është drejtuar Kryetarit të PD-së, Sali Berisha, Kryetarit të PS-së Edi Rama, Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, Kryetarit të PR-së, Fatmir Mediu, Kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe kryetarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

mit/NOA

KOMENTE