Ministria e Shëndetësisë vlerëson kontributet e Korpusit të Paqes
Tiranë, 1 Mars 2011 NOA - Ambasadori i SHBA, Aleksandër A. Arvizu dhe Drejtori i Korpusit të Paqes Z. Hill Denham takuan sot Ministrin Petrit Vasili në një ceremoni të organizuar në Ministrinë e Shëndetësisë për të festuar 50-vjetorin e themelimit të Korpusit të Paqes.
Më 1 Mars, 1961, Presidenti John F. Kennedy nënshkroi Urdhrin Ekzekutiv për themelimin e Korpusit të Paqes. Për 50 vjet që atëherë, rreth 200 mijë amerikanë kanë shërbyer si Vullnetarë të Korpusit të Paqes në rreth 139 vende në mbarë botën. Edhe pse kohët kanë ndryshuar, Korpusi i Paqes i mbetet besnik misionit të tij të promovimit të paqes dhe miqësisë nëpërmjet realizimit të tre qëllimeve:
Të ndihmojë popujt e vendeve të interesuara të përmbushin nevojat për individë të trajnuar;
Të promovojë kulturën dhe vlerat amerikane tek vendet në të cilat vullnetarët shërbejnë;
Të promovojë tek amerikanët kulturën dhe vlerat e vendeve në të cilat vullnetarët shërbejnë.
Ministria e Shëndetësisë është një nga partnerët kryesorë të Korpusit të Paqes në Shqipëri.
Në vitin 2004, Korpusi i Paqes nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Shëndetësisë për të themeluar programin e Edukimit Shëndetësor. Përgjatë shtatë viteve të fundit, rreth 67 Vullnetarë Amerikanë kanë punuar në Shqipëri nën këtë program, duke organizuar aktivitete të edukimit shëndetësor dhe parandalimit të sëmundjeve.
Vullnetarët e Edukimit Shëndetësor punojnë me kolegët e tyre shqiptarë për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me çështje shëndetësore të tilla si abuzimi me substancat narkotike, shëndeti i nënës dhe fëmijëve, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, higjiena, sëmundjet kanceroze dhe çështje të tjera shëndetësore.
Në ceremoninë e sotme, Ministri i Shëndetësisë përshëndeti 50 vjetorin e krijimit të Korpusit të Paqes. Ai siguroi gjithashtu mbështetjen e Ministrisë për krijimin e një grupi pune ndër-institucional për zhvillimin e Programit të Edukimit Shëndetësor më tej.
Rreth Korpusit të Paqes
Programi i Korpusit të Paqes në Shqipëri ka rreth 76 Vullnetarë që punojnë në mbarë vendin në tre projekte: Edukimi Shëndetësor, Edukimi nëpërmjet Gjuhës Angleze, Zhvillimi Organizativ dhe i Komunitetit. Korpusi i Paqes e hapi programin e tij në Shqipëri në vitin 1991, por e ndërpreu atë në vitin 1997. Në vitin 2003 Korpusi i Paqes rihapi zyrat në Shqipëri. Rreth 300 Vullnetarë Amerikanë të Korpusi të Paqes kanë shërbyer në Shqipëri.
e.t/NOA