English

Pasqyra e Shtypit, 1 Mars 2011

Tiranë, 1 mars, NOA - Gazetat shqiptare vazhdojnë të flasin sërish mbi gjithçka ndodhi në demonstratën e 21 Janarit, duke pasqyruar faktin që Garda ka dorëzuar edhe 25 armë për hetimin.

Sikundër paraqesin edhe deklaratat e shkrimtarit të njohur italian Saviano, për ngjashmërinë dhe lidhjet mes mafias italiane edhe asaj shqiptare.

Duke mos harruar as detaje nga vdekja e këngëtares Emmy, si dhe detaje të hetimit duke e cilësuar si një vrasje me dashje, nga ish-i dashuri, biznesmen kosovar.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Saviano: Shqipëria, kujdes nga plehrat”, i cili u pohon lexuesve të kësaj gazete deklaratën e fundit në shtetin fqinj, Itali, të shkrimtarit të njohur kundër mafias.

“Enigma e 14 gëzhojave të 21 Janarit, Garda dorëzon 25 armë” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

Për të vijuar edhe me artikullin tjetër me titullin “Enigma e vdekjes së këngëtares Emmy, policia: Jo aksident, por vrasje”.

E përditshmja “Panorama” ka si argument kryesor titullin “Shpenzimet e 2010/ Deputetët, 4 mln USD në vit për paga dhe dieta”, i cili flet për buxhetin e Kuvendit.

“Zhduken celularët e këngëtares Emmy, i ati: Biznesmeni që e vrau, e kërcënoi para 10 ditësh”, është një tjetër artikull i gazetës.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “akcizat, ndryshimet në ligj, kundër biznesit vendas”; “Saviano: Mafiozin shqiptar dhe atë italian, i lidh Kanuni”; “Peticioni, 52 intelektualë kundër regjistrimit” etj.

“Gazeta Shqiptare” ka si artikull kryesor “Morti, Emmy-n e veshën nuse”, i cili citon detaje nga funerali i djeshëm i këngëtares që mbeti e vdekur nga përplasja e një makine.

“Rexhep Qosja: Pse Berisha është si Gaddafi” është një artikull tjetër i kësaj gazete, referuar analizës së bërë nga intelektuali i njohur kosovar mbi zhvillimet e fundit politike.

Kurse “Tregtarët industrialë: Nuk i vendosim kasat fiskale” është një artikull që flet për përfundimin e afatit të procesit të vendosjes së kasave.

E përditshmja “Shqip” hapet me titullin kryesor “PD denoncon në OSBE presidentin dhe Ina Ramën”, i cili tregon sesi krerët e mazhorancës kanë paraqitur shqetësimin për ngjarjet e 21 Janarit, para Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, gjatë takimeve në Shqipëri.

“Garda dorëzon 25 armë të tjera për hetimet e 21 Janarit” është një tjetër artikull kryesor i kësaj gazete.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Armët, pajisje shkollore në Tropojë”, “Ylli Pango, Ilir Meta dhe Christofer Dell” etj.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin “Kreu i OSBE: Presim zgjedhje me standarde”, i cili pasqyron dëshminë e paraqitur dje nga ministri Basha para komisionit hetimor parlamentar, në lidhje me demonstratën e 21 Janarit.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Skandali i Edi Ramës, kalimtarë dhe biçikleta, së bashku në trotuare”.

Një tjetër artikull i kësaj gazete është ai me titull “Liqeni Artificial, 774 pronarët që u verifikohet pasuria”.

Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për datën 1 Mars 2011. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht. Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

KOMENTE