English

PS: Vendi, peng i korrupsionit, protestë më 8 mars

Tiranë, 1 mars, NOA – Deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi akuzoi sot qeverinë se po varfëron shqiptarët me politikat e gabuara ekonomike që po ndjek.

Meksi tha se korrupsioni dhe paaftësia janë shenjat e një keqqeverisje.

“Ndërsa flitet për mrekulli ekonomike, ajo që duket haptazi është një qeverisje peng i korrupsionit e grabitjes së pasurisë publike, që detyrohet të mbush arkën me tjetërsimin e nxituar e ineficient të pronës publike, duke vënë gjoba që rrisin çmimet e duke shtuar taksat.

Filozofia e pushtetit është demagogjia dhe mashtrimi që e paguajnë qytetarët. E gjitha kjo është faji i Sali Berishës”, tha sot Meksi në një konferencë për mediat.

Zonja Meksi u ndal edhe në situatën në eksporte duke theksuar se janë ulur të ardhurat:

[media id=172 width=600 height=440]

“Eksportet nuk maten në natyrë, por në vlerë, të cilat në Janar 2011 kundrejt 2010 janë ulur në një masë alarmante – nga 9.6 Miliardë lekë vjet, në 7.8 miliardë. Kjo vërtetoi atë çka kemi thënë prej një viti, që rritja e eksporteve në 2010 ishte artificiale dhe jo e qëndrueshme, pasojë e një politike të gabuar në energjitikë që solli shtrembërimin e tregut; Pasojë që solli rritjen e çmimeve. si një faturë më tepër për shqiptarët, të cilët për të balancuar financat KESH duke eksportuar, njëkohësisht paguan faturën e importit te kripur të energjisë nga CEZ”, tha sot Meksi.

Ajo shtoi se një ekonomi e suksesshme duhet të reflektojë rritje të ardhurash. “Por duke parë realizimin e buxhetit 2010 , vërehet se rritja e tyre rezulton jo nga rritja e të ardhurave tatimore por vetëm nga dy zëra: të ardhurat nga doganat dhe të ardhura jo-tatimore. Por edhe kundrejt 2008 nuk kemi rritje të të ardhurave doganore, ato janë vetëm rezultat i zhvlerësimit të lekut që si taksë e fshehtë sjell rritjen e çmimeve, me pasoja për shqiptarët”, tha Meksi. Deputetja e PS-së shtoi se të ardhurat jo-tatimore kanë ardhur kryesisht nga gjobat, me pasoja mbi bizneset edhe mbi konsumatorët.

Nisur nga kjo situatë ekonomike, Meksi tha se shtohen arsyet për të protestuar ndaj qeverisë.

“Prandaj në 8 Mars ne do të protestojmë kundër pushtetit absolut të kryeministrit që nxit absolutisht korrupsionin dhe mashtrimin. Për varfërimin e tryezave, kursimeve, mundësive të të gjithë shqiptarëve, ne do të jemi në shesh në 8 Mars.

Për të protestuar nga dimensioni i shumëfishtë i gruas jo vetëm si nënë por edhe si profesioniste e kontribuese në këtë vend për sa më sipër”, tha Meksi.

a.k/NOA

KOMENTE