Fier, 1 mars 2011, NOA – Me parrullën “Fajin e ka Saliu”, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i është bashkuar këtë pasdite bazës së saj në qytetin e Fierit në vijim të turit të takimeve në rrethe. Lideri i opozitës ritheksoi edhe në këtë takim se lajtmotiv i këtij turi është intensifikimi i protestave kundër qeverisë së hajdutëve.
Ashtu si edhe në bashkëbisedimin me mediat, kryesocialisti Rama deklaroi se opozita është më e bashkuar se kurrë në betejën e saj për rrëzimin e qeverisë Berisha, e cilas tij vodhi zgjedhjet e shkuara parlamentare për të vjedhur popullin dhe Shqipërinë.
“Ky pushtet po e varfëron Shqipërinë, tha Rama në Fier, duke theksuar se “Nuk do zbrapsemi asnjë milimetër, shkojmë përpara më të bashkuar se kurrë”.
Lideri i opozitës tha se duhen zgjedhje për të hequr nga pushteti Sali Berishën.
“Jemi më të shumtë se asnjëherë më parë”, nënvizoi Rama duke theksuar se beteja e opozitës do të vijojë.
Sipas tij qeveria ka kryer tradhti të rënda ndaj popullit, duke iu referuar jo vetëm vjedhjes së votave në zgjedhjet e shkuara parlamentare dhe vjedhjes së pasurive kombëtare, por edhe vrasjes së katër demonstruesve në 21 janar.
Rama duke bërë thirrje për zgjedhje theksoi se duhet të marrë fund politika e vjetër, duke bërë me dije se qeverija e re e opozitës do të ishte qeveria më e mirë për të gjithë shqiptarët dhe shpresa kundër padrejtësisë.
“Nuk do lejojmë të përsëritet e shkuara dhe do të jemi në shërbim të popullit”, nënvizoi Rama nga Fieri, duke theksuar se opozita nuk do të lejojë të përsëritet e shkuara.
“Shqipëria është tokë e tradhtuar nga politikanë të mëdhenj e të vegjël”, tha kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.
Ai i bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e opozitës në 15 mars, në tre-vjetorin e tragjedisë së Gërdecit, kur nga shpërthimi në fabrikën e demontimit të municioneve humbën jetën 26 vetë.
mit/NOA