English

Rama: Në oborrin e Berishës qeshin para kohe me këngën e largimit

Tiranë, 1 mars 2011, NOA Update – “Shumëkush në oborrin e regjimit po rend e buzëqesh para kohe me këngën e largimit”. Kështu i është përgjigjur sot shefi i opozitës Edi rama pyetjes nëse do të rikandidonte për të katërtën herë për Bashkinë e kryeqytetit. Në bashkëbisedimin e sotëm me gazetarët, duke falenderuar miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë për angazhimin dhe ndihmën e tyre në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, posaçërisht edhe Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Marc Perrin de Brichambaut, lideri i opozitës Edi Rama deklaroi se “Ne jemi të bindur që zgjidhja reale dhe e qëndrueshme e krizës së thellë që po kalon Shqipëria, për fajin e Saliut dhe që po e paguajnë padrejtësisht njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, fillon me largimin e Saliut dhe zgjedhjet e reja, të lira e të ndershme”.

Kryesocialisti theksoi se “bojkoti i zgjedhjeve vendore nga ana e opozitës është një ëndërr që Saliu, Iliri dhe kusarët me radhë e shohin prej kohësh po nuk bëhet realitet”.

Rama këmbënguli duke thënë se “Ne jemi në këtë betejë më të vendosur se kurrë dhe jemi sot më shumë se asnjëherë, pasi më shumë se asnjëherë sot Shqipëria e ka të domosdoshme çlirimin nga kthetrat e politikës së vjetër dhe armiqësore me shqiptarët e zakonshëm, që mishërohet në këtë regjim vrastar, kusarie e matrapazllëku”.

Shefi i selisë rozë siguroi se opozita do të vazhdojë rrugën e ballafaqimit frontal me këtë regjim, duke nënkuptuar se ajo do të përballet më qeverinë Berisha në Parlament, rrugë dhe zgjedhjet vendore të 8 majit.

“Ky ballafaqim do të vazhdojë me këmbëngulje dhe intensitet në rritje dhe padyshim edhe demonstratat do të vazhdojnë dhe do të intensifikohen”, tha Rama.

Pyetje: Thoni që do intensifikohen demonstratat, ka një datë konkrete për këto demonstrata?

Rama: Procesi i zhvillimit të demonstratave është një zhvillim i pandërprerë. Momentet e realizimit të tyre janë momente të veçanta që parashihen në kalendarin tonë të aksionit politikë.

Pyetje: Do kërkoni ndryshimin e Kodit Zgjedhor?

Rama: Ne e kemi bërë të qartë që zgjedhje në këto kushte nuk mund të zhvillohen. E kemi thënë këtë në mënyrë të hapur të sinqertë dhe krejt transparente edhe me të gjithë miqtë dhe partnerët e Shqipërisë dhe kemi nënvizuar vullnetin tonë për ti ndryshuar këto kushte, pa të cilat nuk mund të ketë zgjedhje, jo më të mira se ato që u bënë në qershor 2009 e që e zhytën Shqipërinë në këtë krizë, po as si ato.

Pyetje: Tek kushtet kërkoni dhe ndryshimin e përbërjes aktuale të KQZ-së, duke patur parasysh se ka një kërkesë tuajën për reformatim, të bëhen 3 nga një kamp e tre nga kampi tjetër?

Rama: Nuk ka lidhje me detaje. Detajet janë pjesë e një tërësie kushtesh që duhet të ndryshojnë dhe që ne jemi gati të kontribuojmë për të ndryshuar, pa të cilat nuk mund të mbahen zgjedhje në Shqipëri.

Pyetje: PS duket se ka nisur përzgjedhjet për kandidaturat në zgjedhjet elektorale, sa potenciale do të jenë figurat aktuale të kryetarëve në bashki dhe komuna që udhëhiqen nga PS? Ka një afat të shtyrë deri në 8 mars për ti dërguar komisionerët për KZAZ-të, do i dërgojë PS dhe PBDNJ?

Rama: Procesi i aksionit politik i opozitës është një proces i integruar dhe ka në zemrën e vet domosdoshmërinë për të larguar Saliun dhe për të sjellë në duart e çdo shqiptari mundësinë e gjykimit me votë të palëve me zgjedhje të reja, të lira e të ndershme. Kjo është zemra e procesit politikë që opozita sot vazhdon të promovojë me intensitet dhe me të gjitha mjetet që ka në dispozicion. Brenda këtij procesi ka sigurisht aspekte të ndryshme, një nga këto aspekte është aspekti që ka të bëjë me zgjedhjet vendore, të cilat e përsërisë ne nuk do ti bojkotojmë, po do t’i shohim thjeshtë dhe vetëm si pjesë e këtij procesi tërësor e politikë.

Pyetje: Duke qëndruar tek zgjedhjet vendore, ju personalisht keni vendosur nëse do të rikandidoni ose jo për Bashkinë e Tiranës?

Rama: Mendoj që kjo është një çështje që do të zgjidhet në momentin e duhur, në tërësinë e gjithë këtij aspekti të procesit politikë në të cilin është opozita. Po një gjë është e sigurt, që shumëkush në oborrin e regjimit po rend të buzëqeshë para kohe me këngën e largimit.

mit/NOA

KOMENTE