Cuneo, Itali, 1 mars 2011, NOA - Një shqiptar është në proces gjyqësor në Itali, pasi akuzohet nga bashkëshortja e tij për dhunë fizike. Korrespondenti i Agjencisë NOA në Itali raporton se ngjarja mes çiftit ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik për shkak të dhunës dhe sjelljes kafshërore të burrit.
Në procesin gjyqësor të zhvilluar sot në Gjykatën e Kuneos, në provincën e Piemontes në Itali, gruaja me inicialet G.D ka dëshmuar fakte rrëqethëse për dhunën që bashkëshorti i saj me inicialet L.L ushtronte në mënyrë sistematike.
Zënka me e dhunshme mes çiftit ka ndodhur në 8 maj të vitit 2009, kur L.L e ka goditur me grushte dhe me shkelma deri sa e ka lënë përtokë në gjendje të rëndë gruan e tij. Ai i ka dëmtuar rëndë brinjët dhe i ka shkaktuar fraktura në disa pjesë të trupit. Ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e çiftit dhe gruaja për disa ditë nuk ka qenë në gjendje të qëndronte në këmbë.
Sipas dëshmisë së gruas para gjyqtarëve, ka qenë motra e saj ajo që e ka gjetur në gjendje të rëndë dhe e ka çuar tek një prift. Më pas prifti ka thirrur një mjek dhe i ka sugjeruar denoncimin ndaj burrit. Tashmë çifti është ndarë dhe gruaja e ka paditur për ushtrim dhune.
Në dëshminë e saj, G.D ka treguar historitë e dhunës së bashkëshortit në shtëpinë e saj. Ai e rrihte atë gjithmonë dhe mbyllte në bodrumin e shtëpisë pas çdo zënke. Gruaja tha se mbyllja në bodrum ishte bërë aq e shpeshte, sa detyrohej që të hynte, në atë që e cilësoi si qeli, pa qenë nevoja që burri ta mbyllte derën.
Ajo tha se qëndronte në bodrum deri sa bashkëshorti i saj i thoshte të dilte, raporton korrespodenti i Agjencisë NOA. Gruaja tha se zënkat dhe dhuna mes tyre kanë nisur që në momentin që çiftit duhet të bënte deklarimin e pasurive dhe të ardhurave që kishin. Kjo gjë sipas saj solli që burri të ta godiste dhe të përdorte gjithmonë dhunën në komunikimin me atë. Ajo tha para gjykatësve se dhe më parë burri kishte dhënë shenja dhune, por ajo nuk kishte pranuar të tregonte në familje duke mendua se ishte diçka që do të kalonte.
Ndaj qytetarit shqiptare rëndojnë akuzat e keqtrajtimit në familje, agresion i rëndë dhe kërcënime për vrasje të bashkëshortes.
Në seancën e sotme veç gruas me inicialet G.D kanë dëshmuar dhe familjar, motra dhe prindërit e saj si dhe mjeku që në datën 8 maj të 2009 vizitoi gruan dhe mbajti shënim për frakturat që ajo kishte pësuar në trup.
a.k/NOA