English

Analizat e gjakut zbulojnë se sa punojmë

Montreal, 12 mars 2011 - Një grup shkencëtarësh kanadezë nga Montreali ka zbuluar që gjaku dhe filtrati i tij, pështyma, mund të tregojnë shenjat e lodhjes profesionale. Në mostrat e pështymës dhe gjakut të vullnetarëve, hulumtuesit kanë gjetur materie të ndryshme nga ato, të cilat zakonisht tregojnë depresionin, kanë bërë të ditur mediet franceze.

Shkencëtarët nga Qendra për hulumtim të stresit njerëzor në Universitetin e Montrealit kanë arritur deri te ky rezultat duke analizuar mostrat e pështymës së 30 pjesëmarrësve të hulumtimit, të moshës mesatare, në momente të ndryshme gjatë ditës për matjen e nivelit të kortizolit "hormonit të stresit".

Shkencëtarët kanë matur edhe nivelin e shumë faktorëve të tjerë të stresit, siç janë niveli i insulinës, sheqerit, kolesterolit, inflamacioneve, si dhe shtypjen e gjakut. Këta faktorë, kur merren parasysh të gjithë bashkë, mund të paraqesin shenja të ndonjë çrregullimi metabolik.

Pjesëmarrësit e hulumtimit kanë plotësuar edhe pyetësorët në lidhje me nivelin aktual të stresit dhe simptomat e depresionit, si dhe rraskapitjen profesionale.

Shkencëtarët në këtë mënyrë kanë zbuluar te njerëzit me shenja të lodhjes fizike nivel më të ulët të kortizolit sesa ai normal, bashkë me çrregullimin e funksioneve të caktuara të metabolizmit.

Tek njerëzit me shenja të depresionit është vërejtur nivel më i lartë i hormonit të përmendur nga ai normal dhe nivel i ndryshëm i çrregullimeve metabolike sesa tek ata me rraskapitje profesionale.

Shkencëtarët theksojnë që hulumtimi paraqet vetëm fillimin e testimeve në fushën e konfirmimit kimik të shkallës së lodhjes dhe paralajmërojnë hulumtimet më të detajuara. /mia/

KOMENTE