English

Berisha-Imzot Paglia: Hetim i paanshëm i 21 janarit

Tiranë, 2 mars 2011, NOA – Ngjarjet e 21 janarit dhe zgjedhjet vendore të 8 majit kanë zënë vend të rëndësishëm në takimin mes Kryeministrit Sali Berisha dhe Imzot Vincenzio Paglias, përfaqësues i komunitetit të Sant'Egidios, që ka mbërritur për një vizitë zyrtare në Tiranë. Sikundër bën me dije zyra e shtypit e qeverisë gjatë bisedës u fol për rrugët e zgjidhjes së situatës së krijuar pas 21 janarit, si dhe për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 8 maj.

Kryeministri dhe Imzot Paglia theksuan rëndësinë e një hetimi të plotë, të pavarur, gjithëpërfshirës dhe të paanshëm të të gjithë aktorëve dhe përgjegjësve të tentativës së dhunshme të 21 janarit, për përmbysjen e institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike.

Shefi i ekzekutivit theksoi rëndësinë e zgjedhjeve për pushtetin vendor që do të mbahen në 8 maj.

Zoti Berisha garantoi transparencë maksimale dhe standardet më të larta për këto zgjedhje.

Gjatë takimit kryeministri Berisha dhe Imzot Paglia u rikthyen 20 vite më parë në kohë dhe risollën në vëmendje 20-vjetorin e vizitës së parë të Imzot Paglias në Shqipëri dhe përpjekjet e Komunitetit të San't Egidios në atë periudhë, për konsolidimin e lirisë së besimit, i ndaluar në mënyrën më çnjerëzore nga regjimi komunist.

mit/NOA

KOMENTE