English

Denoncon grabitje me armë, del një mashtrim

Prishtinë, 02 mars 2011 NOA - Denoncon në polici rastin e grabitjes së armatosur, por hetimet e nxjerrin të kundërtën, veçse lajmërim i rrejshëm i rastit, ndaj arrestohet personi që vuri në lëvizje policinë në mënyrë abuzive.

Korrespondenti i agjencisë NOA raporton se sot rreth orëve të hershme të mëngjesit, është arrestuar një person për të cilin dyshohet me bazë të jetë të përfshirë në rastin lajmërim i rrejshëm.

Denoncimi në polici është bërë dje nga S. Shabani 28 vjeç, i cili i ka “lajmëruar” policinë se në rrugën “Gjon Sereqi” në Prishtinë, nga persona të armatosur nën kërcënimin e armës, i kanë grabitur para në vlerë 210 euro.

Duke e marrë si shqetësues denoncimin e bërë strukturat profesionale të policisë për trajtimin e rasteve të tilla, kanë filluar menjëherë me intervistimin e denoncuesit dhe kanë ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka lajmëruar rrejshëm rastin në polici për arsye që tani për tani janë duke u hetuar.

“Denoncuesi” është arrestuar nga njësiti i hetimeve të stacionit policor të veriut, në Prishtinë, bazuar në veprimet hetimore, operative, si dhe ngritjes së dyshimit të bazuar se i njëjti ka inskenuar rastin dhe rrejshëm ka denoncuar rastin në polici. I dyshuari është dërguar në qendrën rajonale të paraburgimit në Prishtinë, për përfundimin e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe procedurale para se rasti t’i kalojë gjykatës kompetente, përderisa policia është në kërkim të një personi tjetër i cili dyshohet me bazë të ketë bashkëvepruar në rast, ai është identifikuar nga ana e hetuesve.

Marrë parasysh faktin se raste të tilla si ky janë prezentë në masë të konsiderueshme në kuadër të numrit të përgjithshëm të veprave kriminale, Policia e Kosovës tha se “apelon te të gjithë qytetarët që të distancohen nga veprime të tilla të pandërgjegjshme të cilat gjithsesi ndikojnë edhe në imazhin e sigurisë në përgjithësi, në të kundërtën do të ballafaqohen me konsekuenca ligjore”.

a.b/NOA

KOMENTE