English

Dolën për peshk në Pashaliman, njëri nuk gjendet në det

Vlorë, 2 mars 2011, NOA – Dy të rinj që kishin dalë në det për peshkim në orët e vona të mbrëmjes së të martës janë rrezikuar të mbyten për shkak të dallgëve të mëdha në det. 24-vjeçari Aleks Petrit Koçiraj dhe 22-vjeçari Rinald Dalan Jaupaj kishin dalë për të zënë peshk në zonën e Pashalimanit dhe ata janë pikasur nga policia e Vlorës që patrullonte në këtë zonë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 të mbrëmjes së të martës.

Blutë e Vlorës nga informacionet e para mësuan se Aleks Koçiraj dhe Rinald Jaupaj kishin dalë në det me një mjet të vogël për peshkim, i cili nga moti i keq dhe dallgët e fryra është përmbysur.

Njëri prej personave që ndodhej në mjetin lundrues, Rinald Jaupaj ka arritur të dalë me not në breg, ndërsa shoku i tij Aleks Koçiraj nuk ka mundur të dalë.

Policia e Vlorës bën me dije se në vendngjarje kanë mbërritur mjetet lundruese të ushtrisë dhe kufirit për të kryer operacionin e kërkim-shpëtimit.

Operacioni vijoi deri në 02:00 pas mesnatës, por për shkak të motit të keq kërkimet u ndërprenë për të rifilluar përsëri në agim.

mit/NOA

KOMENTE