Vlorë, 2 mars, NOA – Policia e Vlorës ka arrestuar autorët e grabitjes së një banke në këtë qyet më datën 15 shkurt. Korrespodenti i Agjencisë NOA raporton se personat e arrestuar janë; Severus Hazbi Nurçe, 26-vjeç dhe Saimir Sali Bubeqi, 28- vjeç të dy banues në lagjen “24 Maji” në Vlorë.
Arrestimi i tyre u bë dje rreth orës 01.30 pas një hetimi prej rreth 15 ditësh nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë.
Sipas policisë dyshohet se dy të rinjtë më datë 15-02-2011 rreth orës 15:00 kanë grabitur filialin e një banke në Vlorë. Saimiri Bubeqi është futur në filialin Nr-3 të “Raiffaisen Bank” në lagjen “Rilindja” dhe nën kërcënimin e një arme zjarri tip pistoletë i ka marrë arkëtares 260 000 lekë dhe më pas është larguar me mjetin tip furgon “Mercedes-Benz” me targa VL 1351 C.
Makina drejtohej nga Severus Nurçe. Gjatë arrestimit dhe kontrollit policia u sekuestroi dy të rinjve dhe një pistoletë “M-54”, me të cilën Bubeqi ka kryer grabitjen, dy krehëra me 15 copë fishekë, 37.000 lekë, dy kapele, dy palë doreza kirurgjikale, 3 aparate telefonike celularë, si dhe është sekuestruar mjeti tip furgon “Mercedes-Benz”.
Ndaj dy të rinjve ka nisur procedimi penal për “Vjedhje të arkave dhe bankave të kursimit” e kryer në kushtet e bashkëpunimit dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
a.k/NOA