Kryekuvendari Krasniqi u takua me komandantin e KFOR-it, gjen. major Erhard Buhler
Prishtinë, 2 Mars 2011 NOA - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim komandantin e KFOR-it, gjen. major Erhard Buhler. Kryekuvendari Krasniqi duke falënderuar z. Buhler për vizitën dhe për mbështetjen që po i jepet Kosovës dhe FSK-së, shprehu mirënjohje edhe për kontributin e KFOR-it në shkallën e arritur të sigurisë në Kosovë.
Duke folur lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kreu i legjislativit të vendit tha se Kosova asnjëherë nuk ka qenë kundër bisedimeve.
Kurse Buhler pasi e përgëzoi kryekuvendarin Krasniqi për rizgjedhje në këtë post dhe për punën e mirë që ka bërë në Legjislaturën e Tretë, foli rreth zvogëlimit të ushtarëve të KFOR-it, i cili nuk do të ulë nivelin e sigurisë në Kosovë. Duke i bërë një vështrim gjendjes së sigurisë në Kosovë dhe të arriturave të forcës së Sigurisë së Kosovës, komandanti i KFOR-it, gjen. major Erhard Buhler, tha se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe në NATO. a.b/NOA