English

Kryeministri: Vizioni i qeverisë, për drejtësi transparente

Kryeministri Thaçi ka pritur një delegacion të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga z. Kreshnik Spahiu, zëvendëskryetar

Prishtinë, 2 Mars 2011 NOA - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot një delegacion të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga z. Kreshnik Spahiu, zëvendëskryetar.

Në takim është diskutuar për situatën aktuale politike në Republikën e Kosovës dhe në rajon, me fokus të veçantë për vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe funksionimin efektiv dhe transparent të sistemit të drejtësisë në vend.

Në takimin me përfaqësuesit e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, kryeministri Hashim Thaçi u shpreh për forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë në fushën e drejtësisë, duke theksuar se bashkëpunimi rajonal është i një rëndësie të veçantë për fuqizimin e sundimit të rendit në tërë rajonin.

Nga ana e tij, udhëheqësi i delegacionit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, zëvendëskryetari Kreshnik Spahiu falënderoi kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për pritjen e përzemërt dhe i uroi z.Thaçi rizgjedhjen në postin e kryeministrit dhe formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Z.Spahiu në takimin me kryeministrin Thaçi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në lëmin e drejtësisë, posaçërisht në shkëmbin e përvojave të të dyjave vendeve në këtë drejtim.

Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, u shpreh i inkurajuar nga fokusimi i vizionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës. Kjo, tha ai, është jashtëzakonisht e rëndësishme për funksionimin demokratik të shtetit dhe shoqërisë së Kosovës.

a.b/NOA

KOMENTE