Tiranë, 2 mars 2011, NOA – Pak kohë pasi Shoqata Kombëtare “Pronësi me drejtësi” ka çuar në Gjykatën Kushtetuese ndryshimet në ligjin për kthimin e pronave të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë shtatorin e vitit të shkuar edhe pasi Presidenti Bamir Topi i kishte cilësuar si antikushtetuese duke i kthyer për rishqyrtim, përgjigjet edhe Gjykata Kushtetuese, e cila pasi ka shqyrtuar kërkesën e shoqatës së pronarëve ka pezulluar ndryshimet e bëra në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave. Përkatësisht bëhet me dije se Gjykata Kushtetuese ka pezulluar nenet 2, 3 dhe 4 të ligjit 10 308 “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin e pronave”.
Shoqata e pronarëve ka kërkuar rrëzimin e ndryshimeve që janë bërë në ligjin "Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave", pasi sipas ish-pronarëve ligji i ri i jep të drejtën kreut të AKKP-së të rishikojë vendimet e mëparshme të Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, një formë kjo e cilësuar si e jashtëligjshme pasi shmang gjykatën.
Sipas pronarëve të ligjshëm çështja e pronës nuk mund të rregullohet me akte administrative, por me vendim gjykate.
Me këtë ankesë pronarët iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, e cila I ka pranuiar kërkesat e tyre duke pezulluar tre nene të ligjit.
Ndryshimet në ligjin e pronave u propozuan ish-ministri demokrat i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, menjëherë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi në muajin maj ndërhyjet ligjore të qeverisë.
Por edhe ndryshimet e propozuara u kthyen mbrapsht në parlamentit nga Presidenti i Republikës, i cili i konsideroi ndryshimet si në kundërshtim me kushtetutën, me vendimet e Gjykatës kushtetuese si dhe me jurisprudencën e gjykatës europiane të të drejtave të njeriut. Sipas Presidentit Topi edhe rregullimet e bëra në projekt-ligjin e ri janë në thelb të njejta me ato të ligjit të shfuqizuar nga Gjykata kushtetuese, por që më pas u votuan në Kuvend në muajin shtator të vitit 2010, duke marrë edhe fuqi ligjore.
Bazuar në këtë ligj, që nga korriku i vitit të kaluar kreu i AKKP-së rimori të drejtën që të rishikojë dhe anulojë vendimet që janë marrë ndër vite nga agjencitë dhe komisionet e rretheve.
Në ligjin e mëparshëm ishte parashikuar që kreu i AKKP-së e ndërmerrte këtë procedurë me iniciativën e tij personale, ndërsa në ligjin e dytë, ai e nis këtë procedurë vetëm pas ankimit të njërës prej palëve të interesuara.
Por ajo që është e papranueshme është se sipas këtij ligji, kreu i AKKP-së ka të drejtë të shfuqizojë vendimet e mëparshme dhe t’i japë pronën atij që ai e mendon si të drejtë.
Gjykata Kushtetuese u mblodh sot për të shqyrtuar kërkesën e Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve "Pronësi me Drejtësi" dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke i cilësuar të argumentuara dhe të drejta ankesat e tyre lidhur me ndryshimet në ligjin e pronave.
mit/NOA