Gjirokastër, 2 mars, NOA – Forcat e policisë kanë arrestuar në flagrancë një person nga Tepelena, pasi i ka kundërshtuar ato.
Siç konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA, i ndaluari është 26-vjeçari Edison Mici, lindur dhe banues në Tepelenë, ndalimi i të cilit është vërë pasi ndërsa ishte duke lëvizur nga Gjirokastra në drejtim të Tepelenës me automjetin e tij tip Benz Rexhina me targa 6T6 9003, iu afrua postbllokut të policisë duke kundërshtuar kontrollin.
Konkretisht, ai është afruar në postobllokun e policisë të ngritur në aksin rrugor Gjirokastër Tepelenë në vendin e quajtur Volsvagen, pranë liqenit të Viroit-Gjirokastër, dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë për të kontrolluar automjetin e tij, duke u larguar me shpejtësi dhe vënë në rrezik jetën e punonjësve të policisë që ishin në shërbim.
Më pas, ata janë vënë në ndjekje të tij, ku në vendin e quajtur Ura e Leklit -Tepelenë automjeti u karambolua me bordurat e urës dhe doli nga rruga, por pa pasoja për drejtuesin e automjetit .
Policia ka bërë shoqërimin e drejtuesit të automjetit për në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
Nga kontrolli i bërë në automjet nuk u konstatua asnjë send i kundraligjshëm, ndërsa automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
n.e/NOA