Presidenti Pacolli priti një delegacion të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë
Prishtinë, 2 Mars 2011 NOA - Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot një delegacion të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë, të kryesuar nga zëvendëskryetari z.Kreshnik Spahiu.
Presidenti Pacolli theksoi në takim se funksionimi i sistemit të drejtësisë është me rëndësi shumë të madhe për zhvillimin e një shoqërie, një shteti dhe për imazhin e tij në përgjithësi. Në këtë plan, ia theksoi nevojën e krijimit të kushteve sa më të mira për punën e të gjithë atyre që janë pjesë e këtij sistemi shumë të rëndësishëm për shtetin, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Ai gjithashtu e çmoi shumë të rëndësishëm bashkëpunimin mes dy shteteve, me qëllim të shkëmbimit të përvojave, por edhe të arritjes së rezultateve në drejtim të përmirësimit të përgjithshëm të imazhit të shqiptarëve në botë, imazh i cili mund të përmirësohet me shumë punë e jo me shumë fjalë, me një funksionim të tërësishëm të të gjitha segmenteve të shoqërisë sonë. Presidenti Pacolli, krahas bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave, u shpreh se askush nuk mund të na pengojë të aplikojmë ligje dhe standarde të njëjta. Edhe zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë, z.Kreshnik Spahiu u shpreh se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e drejtësisë mund të intensifikohet dhe të zhvillohet edhe më tej. Ai gjithashtu shtroi nevojën e përmirësimit të sistemit të drejtësisë, duke e mbajtur atë larg ndikimeve politike, duke shtuar se vetëm sistemi i mirë i drejtësisë e pastron politikën. Z.Spahiu shtroi gjithashtu çështjen e imazhit të shqiptarëve, për ngritjen e të cilit duhet dhe mund të bëhet shumë më shumë si nga politika ashtu edhe nga të gjitha fushat e tjera të funksionimit të shtetit.
a.b/NOA