English

Presidenti Obama shpreh dhimbje dhe indinjatë për vrasjen e ushtarëve në Gjermani

E mërkurë, 2 mars 2011, NOA- Dy anëtarë të forcës ushtarake ajrore amerikane u vranë sot në aeroportin ndërkombëtar të Frankfurtit në Gjermani. Forca ajrore amerikane thotë se dy anëtarë të tjerë të kësaj force u plagosën.

Policia gjermane thotë se një person i armatosur hapi zjarr ndaj pjesëtarëve të ushtrisë amerikane në një autobus në aeroportin e Frankfurtit.

Lejtnant kolonele Pamela Cook, nëndrejtore e marrëdhënieve me publikun për forcat ajrore amerikane deklaroi se, “Ajo që dimë është që pati një hapje zjarri në Aeroportin Ndërkombëtar të Frankfurtit. Dy pjesëtarë të forcës ajrore amerikane u vranë dhe dy u plagosën në këtë incident. Nga informacionet tona, autoritetet gjermane e kanë nën arrest autorin dhe presim që hetimi të ketë filluar”.

Cook tha se pjesëtarët e forcës ajrore po shkonin për t’u dislokuar kur ndodhi incidenti. Presidenti amerikan Barak Obama, foli për incidentin në Shtëpinë e Bardhë.

“Jam i dëshpëruar dhe i indinjuar nga sulmi ku humbën jetën dy pjesëtarë të ushtrisë amerikane dhe u plagosën dy të tjerë. Mendoj se i gjithë populli amerikan shpreh mirënjohjen për shërbimin e atyre që humbën jetën. Mishelë dhe unë i kemi në mendimet dhe lutjet tona familjet dhe miqtë e tyre dhe po shpresojmë për shërimin e të plagosurve”.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të mësuar hollësitë e incidentit dhe do të punojnë me autoritetet gjermane për t’u siguruar që shkaktarët të çohen para drejtësisë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi i tha Zërit të Amerikës se ishte informuar nga policia gjermane se i dyshuari ishte Arif Uka, një qytetar nga Kosova, nga Mitrovica.

Rexhepi shprehu keqardhjen e thellë për incidentin dhe tha se autoritetet e Kosovës po bëjnë hetime. Ai tha se nuk është e qartë nëse incidenti ishte akt terrorizmi.

Robert Pein, zëdhënësi ndërkombëtar i Fraport, pronar dhe administrator i Aeroportit të Frankfurtit, tha se autoritetet federale gjermane do të marrin të gjitha masat e duhura për sigurinë e aeroportit si rezultat i incidentit.

“Siguria e aeroporteve në Gjermani është përgjegjësi e Ministrisë së Brendshme gjermane, dhe në praktikisht, zbatohet nga policia federale gjermane. Ata vendosin standardet dhe kërkesat, dhe nëse ka ndryshime që mund të bëhen herë pas here, atëherë ata janë përgjegjës t’i zbatojnë.”

Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu ngushëllimet e saj për viktimat dhe familjet e tyre, duke thënë se qeveria do të bëjë ç’është e mundur për të zbuluar çfarë ka ndodhur.

Ushtria amerikane ka disa baza në Gjermani, duke përfshirë bazën ajrore të Ramshtajnit afër Frankfurtit.

VOA/NOA

KOMENTE