English

PS: Lirimi i gardistëve, turp

Tiranë, 2 mars, NOA – Partia socialiste ka reaguar sot për lirimin e katër gardistëve të dyshuar për vrasjet në datën 21 janar. Në një deklaratë për mediat, deputetja e PS-së, Shega Ligori u shpreh se ky vendim është një turp dhe për këtë gjë e ka fajin Saliu.

“Sot, Saliu dhe Luli, edhe pse urdhëruesit e vrasjeve, mbeten ende të lirë, ndërkohë që po sot, u liruan ekzekutorët gardistë të katër shqiptarëve të pafajshëm. Edhe për këtë turp, fajin e ka Saliu”, tha ajo.

Ligori tha se Basha është ministri që duhet të shkojë para gjyqit pasi mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për vrasjet e 21 Janarit.

“Sot fshihet pas imunitetit, por ndërkohë që Luli e Saliu vazhdojnë të vjedhin e zhvasin Shqipërinë, gardistët që ekzekutuan katër shqiptarë lihen të lirë, sikur asnjë pikë gjak të mos ishte derdhur. Edhe për këtë, fajin e ka Saliu”, tha Ligori.

Deputetja e PS-së u shpreh se shqiptarët kërkojnë drejtësi, pasi sipas saj, “Sali Berisha është përgjegjës jo vetëm për 4 vrasjet e 21 Janarit, por edhe për 26 shqiptarët që humbën jetën në Gërdec nga korrupsioni e kusaria e Saliut, edhe për Kryekomunarin e Kuksit Remzi Veseli, edhe për vrasjen politike të deputetit të Partisë Socialiste Fatmir Xhindi.

Plot 32 jetë njerëzish rëndojnë mbi Sali Berishën, i cili sado të përpiqet nuk do të mund t’i shpëtojë dot drejtësisë”, tha Ligori.

Deputetja e PS-së u ndal edhe në akuzat e mazhorancës ndaj Prokurorisë, duke i cilësuara të padenja për një mazhorancë.

“Ditë pas dite, Sali Berisha ka hedhur dhe vazhdon të hedhë një lumë akuzash e kërcënimesh mbi Prokurorinë e Përgjithshme, duke synuar intimidimin dhe vënien e organeve të drejtësisë nën presion, vetëm e vetëm për të dështuar një tjetër proces, ku sërish përgjegjës për vrasjen e shqiptarëve të pafajshëm janë Saliu vetë dhe Luli i tij besnik”, tha Ligori.

a.k/NOA

KOMENTE