Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhje e saj të dytë
Prishtinë, 2 Mars 2011 NOA – Janë në përfundim përgatitjet për fillimin e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ky dialog do të fokusohet në sigurimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dyja vendeve, qarkullimin e mallrave dhe kthimin e dokumenteve të marra gjatë luftës në Kosovë.
Lajmin e bëri të ditur sot, kryeministri Hashim Thaçi pasi Qeveria e drejtuar prej tij, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë dhe ka marrë vendime nga fusha e mandatit të saj kushtetues.
Thaçi tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe angazhuar në agjendën e saj për të ecur në drejtim të integrimit në strukturat euroatlantike.
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran dhe do të angazhohet për krijimin e klimës së fqinjësisë së mirë në rajon, që është një nga kriteret në rrugën e integrimit”, – tha z.Thaçi. Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë në fjalën e tij se në procesin e dialogut me Serbinë do të përfshihen të gjithë aktorët e rëndësishëm në shoqërinë kosovare, duke përfshirë edhe opozitën dhe shoqërinë civile.
“Presim që edhe Kuvendi i Kosovës të jap fjalën e vet për dialogun dhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të angazhohet për transparencë të plotë të këtij procesi para qytetarëve të Kosovës”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi. a.b/NOA