English

Topi: Palët jo retorikë të ashpër, zgjedhjet më 8 maj

Tiranë, 2 mars, NOA – Presidenti i vendit Bamir Topi ka kërkuar nga palët politike që të heqin dorë nga retorika e ashpër dhe të përgatitjen për zgjedhjet e 8 majit. Deklarata e kreut të shtetit u bë gjatë takimit me Përfaqësuesin e Komunitetit të “Sant’ Exhidios”, Imzot Vinçenco Palian me rastin e njëzetvjetorit të ardhjes për herë të parë në vendin tonë.

“Presidenti Topi vuri në dukje se: “Këto zhvillime kanë pushtuar jo vetëm diskursin politik, publik, shoqëror, por edhe mendjet e qytetarëve shqiptarë, të cilët aspirojnë vlera demokratike e evropiane të sjelljes dhe përgjegjësisë politike, shtetërore dhe institucionale.” Gjithashtu, Kryetari i Shtetit vuri në dukje se duhen respektuar institucionet e pavarura kushtetuese dhe se duhet hequr dorë nga retorika e ashpër për t’iu rikthyer dialogut konstruktiv politik e institucional dhe për t’u përgatitur e zhvilluar sipas standardeve zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit 2011”, njofton zyra e Shytpit e Presidencës për Takimin.

Nga ana e tij, Imzot Vinçenco Palia vlerësoi rolin e ekuilibruar dhe moderator të dëshmuar nga Kryetari i Shtetit në këtë situatë dhe nënvizoi rëndësinë e përballimit së saj me maturi dhe përgjegjshmëri, duke ritheksuar domosdoshmërinë e vendosjes së dialogut konstruktiv mes palëve politike dhe gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes institucionale, që do t’i shërbente më së miri edhe aspiratës integruese të Shqipërisë në familjen evropiane.

Topi dhe Palia diskutuan edhe për situatën në Ballkan duke theksuar se rajoni ynë tashmë ka fituar një paqe dhe qëndrueshmëri dhe të gjitha vendet e tij janë të projektuara qartë drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

Palia vuri në dukje rolin e rëndësishëm dhe pozitiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon në drejtim të ruajtjes dhe forcimit të qëndrueshmërisë dhe bashkëpunimit mes të gjithë vendeve dhe popujve të rajonit tonë.

a.k.NOA

KOMENTE