Tiranë, 2 mars 2011, NOA- Në mbledhjen e ditës së sotme të Këshillit të Ministrave u miratua vendimi për lëvizjen e lirë të të rinjve shqiptar drejt Francës.
Ky Vendim për Marrëveshjen dypalëshe mes Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Franceze është bërë lidhur me qarkullimin e të rinjve.
Marrëveshja synon të rrisë mundësitë që të rinjtë e të dy Shteteve të vlerësojnë kulturën dhe mënyrën e jetesës në secilin vend me anë të aktiviteteve të ndryshme: studime, stazhe ose punësim.
Kjo Marrëveshje do të krijojë mundësi dhe lehtësira për të rinjtë shqiptarë të kenë eksperienca përvojë profesionale dhe punësimi në Francë dhe anasjelltas.
Marrëveshja ka në fokus studentët, praktikantët dhe profesionistët e rinj. Për studentët, projektmarrëveshja lehtëson qëndrimin dhe punësimin në Francë të shtetasve shqiptarë që kanë një diplomë master ose licencë profesionale të cilat njihen nga autoritetet franceze. Gjithashtu ajo krijon mundësinë, për studentët shqiptarë në Shqipëri të ndjekin një praktikë mësimore në Francë, për të punësuarit shqiptarë në ndërmarrje franceze në RSH ose ndërmarrje shqiptare partnere të ndërmarrjeve franceze të ndjekin një praktikë profesionale në Francë.
Sipas këtij vendimi lehtësohet punësimi në Francë i profesionistëve të rinj shqiptarë nga tetëmbëdhjetë deri në tridhjetë e pesë vjeç që punojnë tashmë ose sa kanë hyrë në tregun e punës. Ajo parashikon gjithashtu edhe organizimin e veprimtarive të përbashkëta në favor të shkëmbimeve midis të rinjve.
Për finalizimin e Marrëveshjes janë zhvilluar disa takime negociuese ndërmjet palës franceze dhe asaj shqiptare. Takimi i fundit, ndërmjet delegacionit shqiptar dhe delegacionit francez për Projektmarrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës Franceze dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë mbi Qarkullimin e të Rinjve, u zhvillua në datë 28 tetor te vitit që lamë pas.
Marrëveshja parashikon se autoritetet përgjegjëse për zbatimin e Marrëveshjes do të jenë, për palën franceze, Ministria e Imigrimit, Integrimit, Identitetit Kombëtar dhe Zhvillimit Solidar dhe për palën shqiptare, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Marrëveshja do të rregullojë lëvizjen, qendrimin dhe punësimin e të rinjve.
Projektvendimi i propozuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për miratimin e Marrëveshjes synon të nxisë marrëdhënie bashkëpunimi më të ngushta mes dy Shteteve, për të kontribuar në afrimin e Republikës së Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke lehtësuar qarkullimin e të rinjve, duke përforcuar formimin e tyre profesional dhe universitar si dhe duke ia përshtatur këtë formim nevojave të tregut shqiptar të punës.
a.y/NOA