English

Balla: Qeveria e Sali Berishës, një lavanteri parash

Tiranë, 3 mars 2011, NOA - Mjafton t'i hedhësh një sy deklarimeve të pasurisë të ministrave të Sali Berishës dhe është e lehtë të nxjerrësh përfundimin se kemi të bëjmë me një qeveri - lavanteri. Ajo që Sali Berisha e quan qeveria e shqiptarëve i ngjan sot më shumë se kurrë një bande kusarësh që sundon mbi shqiptarët, jo sepse ka fituar votat, por sepse u ka vjedhur shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur…..

Nga Taulant Balla

Sot qeveria sjell në Kuvend një projekt-ligj për parandalimin e pastrimit të parave. Qeveria e parave dhe pasurive të pista sjell një projekt-ligj për parandalimin e pastrimit të parave. Thelbi i këtij projektligji është se Saliu do të emërojë drejtorin e drejtorisë së Përgjithshme të parandalimit të pastrimit të Parave.

E thënë troç, kryetari i qeverisë së hajdutëve, vrasësve, kryetari i qeverisë së parave dhe pasurive të pista do të emërojnë personin që duhet të parandalojë pastrimin e tyre.

Çfarë janë paratë dhe pasuritë e pista?

Për definicion: Çdo shumë parash që direkt ose indirekt është qarkulluar, ricikluar, transferuar, transformuar ose tjetërsuar në produkte ose pasuri që rrjedhin nga aktivitete kriminale, të paligjshme, korruptive, penale përbëjnë para dhe pasuri të pista.

Mjafton t’i hedhësh një sy deklarimeve të pasurisë të ministrave të Sali Berishës dhe është e lehtë të nxjerrësh përfundimin se kemi të bëjmë me një qeveri - lavanteri. Ajo që Sali Berisha e quan qeveria e shqiptarëve i ngjan sot më shumë se kurrë një bande kusarësh që sundon mbi shqiptarët, jo sepse ka fituar votat, por sepse u ka vjedhur shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur.

Është ky një regjim që nuk qeveris, por sundon, që nuk punon, por vjedh dhe madje edhe vret për të mbuluar vjedhjet e për të grabitur gjithçka me vlerë në këtë vend. Mjafton të shohësh se cilët janë njerëzit e regjimit që sundon mbi shqiptarët për të kuptuar se ky entitet që drejton Sali Berisha në fakt nuk e ka vendin në Këshillin e Ministrave, por përpara drejtësisë duke u përballur me ligjin për aferat dhe korrupsionin e pafre.

Sali Berisha ka firmosur këtë projekt-ligj për parandalimin e pastrimit të parave. Këtu kam deklaratat e pasurive të Saliut dhe oborrtarëve.

Ç’ka në deklaratën e pasurisë së Saliut?

Shkëlzen Berisha: Të ardhura neto nga aktiviteti privat në fushën e pasurive të paluajtshme. - 200.000 euro. Në fakt ligji të detyron që të deklarosh përmes një përshkrimi të hollësishëm: emërtimin e kompanisë – aktivitetit, adresën, numrin e regjistrit publik, statusin, objektin e veprimtarisë, funksionin, natyrën e angazhimit. Djali i Kryeministrit ka deklaruar se ka fituar si ndërmjetës (sekser) në fushën e pasurive të paluajtshme 200.000 Euro. A janë këto para të pista apo të pastra? Më thoni kush shqiptar e beson këtë projekt-përrallë që keni sjellë këtu sot.

Deklarata e pasurisë së Ministrit të Brendshëm, Lulzim Xhelat Basha, një njeri dy herë në kërkim: njëherë për një vjedhje dhe së dyti për vrasje të katër protestuesve të pafajshëm. Plot 230 milion euro u ka vjedhur Lulzim Basha shqiptarëve me një dorë. Sot diskutojmë projekt-ligjin për parandalimin e pastrimit të parave. Ku i ka çuar Lulzim Basha 230 milionë euro? Po të pyesësh Lulin, ky të thotë i kam bërë mirë, i kam bërë vetë. Por shqiptarët duan të dinë se ku kanë shkuar 230 milionë euro, nga ky person që është ende në kërkim dhe nuk është gjykuar për këtë vjedhje.

Le të hyjmë pak më thellë në shpellën e kusarisë dhe mund të konstatosh atë që ndodh me të gjithë regjimet e korruptuara në botën mbarë, vartësi i këtij ministri zëvendës drejtori i përgjithshëm i policisë është ende sot nën akuzë për kontrabandën e naftës virgin. A është parë e dëgjuar diku në botën demokratike një drejtues policie nën akuzë për kontrabandë? Kontrabanda prodhon para të pista. Më thoni kush shqiptar e beson këtë projekt-përrallë që keni sjellë këtu sot. Vetëm në Shqipërinë e Saliut dhe kusarëve të tij.

Ilir Meta, ish zëvendëskryeministri dhe aleati kryesor i koalicionit të turpit që sundon sot Shqipërinë është majmur nga korrupsioni i politikës së parave të pista të kthyer në biznes, por ka ende fytyrë të bëjë fushatë elektorale e të kërkojë vota edhe pasi shqiptarët e panë me zë e me figurë duke premtuar plot 700 mijë euro në këmbim të licencave e favoreve. Në deklaratën e pasurisë mungojnë dy super prona, një apartament në qendër të bllokut dhe një vilë në zemër të bregdetit. Plot 1.2 milionë euro pasuri, të padeklaruara. A janë këto pasuri të pastra apo të pista?

Ministri i Financave është kthyer sot në një perandori financiare më vete me milionat e fituara duke u shitur shqiptarëve si frëngut pulën kasat fiskale të kompanive pas të cilave qëndron ai vetë.

Ndërsa ministri i mbrojtjes që dikur krekosej majë tankeve për të rrëzuar Saliun, sot dërdëllit për përdorimin e ushtrisë në mbrojtje të Saliut vetëm e vetëm sepse i ashtu-quajturi kryeministër i ka lënë dorë të lirë të pasurohet duke shitur një pjesë të mirë të atyre 1280 pasurive publike që ka vendosur të vjedhë Saliu në dy muajt e ardhshëm.

Shikoni pasuritë e Majlinda Bregut. E ka kthyer familjen në një superfuqi energjetike e s’ ka lënë kunat në këmbë pa i dhënë nga një licencë hidrocentralesh. Por sikur të mos mjaftonte kjo për turpin e gjithë shqiptarëve kjo ministre e zëdhënëse e qeverisë na ka bërë krushqi edhe me Sacra Corona Unita.

Për të mos folur pastaj për Genc Rulin që edhe mes kësaj qeverie të krimbur në korrupsion e vjedhje ia ka dalë të spikasë me aferat e tij të panumërta: me privatizimin e ekspozitës, me licencat e koncesionet për hidrocentrale e me kontratat koncesionare të minierave të Bulqizës.

Në majë të kësaj piramide korrupsioni, vjedhje e vrasjesh qëndron kapobanda i vërtetë i regjimit të sotëm: Sali Berisha mbi të cilin rëndojnë plot 32 e dy jetë të humbura, duke filluar me 26 jetëhumburit e Gërdecit, me kolegun tonë të ndjerë socialist Fatmir Xhindi e kryekomunarin e ndjerë Remzi Veseli, e duke përfunduar me katër jetët që mori me plumbat e Gardës Republikane. Në majën e kësaj piramide të parave dhe pasurive të pista qëndron Sali Berisha, i cili bekon çdo vjedhje e vrasje, për të mbrojtur vjedhjet e për të vazhduar vjedhjet.

Në majën e kësaj piramide të parave dhe pasurive të pista qëndron Sali Berisha, i cili në Shqipërinë e 1 milion të papunëve dhe të mbi 500 mijë të varfërve, po vjedh e plaçkit çdo gjë që i del përpara për të pasuruar familjen e oborrin.

A janë pastrim parash licensat pa fund të fabrikave të çimentos?

A janë këto liçensa lavatriçe parash të pista?

A është importi i plehrave pastrim parash?

Ky projekt-ligj nuk parandalon dot pastrimin e parave. Sepse kjo qeveri është një lavanteri e parave dhe pasurive të pista.

*Fjala e deputetit socialist Taulant Balla në Kuvendin e Shqipërisë

KOMENTE