Tiranë, 3 mars, NOA – Ambasadori i Australisë, Jeremy Roger Newman ka vlerësuar, gjatë një takimi të zhvilluar me kryeministrin Sali Berisha, rolin e Shqipërisë në rajon dhe angazhimin e saj në projektet e NATO-s.
Ambasadori Newman vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme të vendit gjatë kësaj periudhe, si anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave, zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen spektakolare ekonomike të Shqipërisë, në dallim nga trendi ndërkombëtar, të cilat u bënë të mundura nga reformat e thella dhe të gjithanshme të qeverisë shqiptare.
Ndër të tjera, ambasadori australian vlerësoi kontributin e rëndësishëm të Shqipërisë, në shërbim të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, në veçanti në Afganistan, por edhe rolin konstruktiv e të rëndësishëm, në shërbim të paqes, stabilitetit, e sigurisë në rajon.
Takimi i diplomatit australian me seli në Athinë, i cili mbulonte dhe vendin tonë, u bë me rastin e përfundimit të misionit të tij
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Newman për kontributin që ai ka dhënë gjatë kësaj periudhe për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke u shprehur se me mbarimin e misionit të tij, largohet si një mik i Shqipërisë dhe se është gjithnjë i mirëpritur në vendin tonë.
Nga ana e tij, Ambasadori Australian Newman e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe për bashkëpunimin shumë të mirë që ka patur me qeverinë shqiptare gjatë gjithë kësaj periudhe.
Gjatë këtij takimi ambasadori i përcolli kryeministrit Berisha përshëndetjet e përzemërta, Kryeministres australiane, Julia Gillard.
a.k/NOA