Prishtinë, 3 mars 2011, NOA - Bisedimet aq të pritshme teknike mes Prishtinës dhe Begradit duket se do të nisin në 8 mars. Lajmin e ka bërë publik ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi, i cili bëri me dije se takimi mes dy delegacioneve shqiptare dhe serbe do të zhvillohet në Bruksel.
Sipas ministrit Rexhepi në takim do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ka qenë vetë Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian Stefan Fule që para pak muajsh dorëzoi në Beograd axhendën e propozuar nga BE për bisedime me Kosovën.
Axhenda e bisedimeve përmban vetëm çështje praktike, dhe aspak diskutime për statusin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Axhenda e propozuar nga BE përmban bisedime mbi mbrojtjen kufitare, doganat, tregtinë, ekonominë, transportin, telekomunikimin, trashëgiminë kulturore dhe fetare si dhe për luftën kundër krimit të organizuar.
Ndërkohë dje qeveria e Kosovës miratoi axhendën e bisedimeve me Serbinë, ku sipas saj do të bisedohet vetëm për çështje praktike.
Qeveria Thaçi paralajmëroi se në rast se pala serbe do të tentojë të dalë jashtë axhendës, atëherë pala kosovare do të bojkotojë bisedimet.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, emëroi zëvendëskryeministren e tij, Edita Tahirin, udhëheqëse të delegacionit të Kosovës për dialogun për çështje praktike me Serbinë.
Sipas kryeministrit të Kosovës “Dialogu që do të fillojë në të ardhmen e afërt, do të përmbyllet me një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe rajonit, për një të ardhme më të mirë evropiane, për një të ardhme më të mirë për të dy vendet dhe popujt tanë dhe me njohjet reciproke që do të ndodhin”.
Por, nuk dihet ende se si do të reagojë Serbia gjatë bisedimeve, ndërkohë që ajo ende e kundërshton me forcë statusin e Kosovës si shtet i pavarur, shtet që deri më tash njihet nga plot 75 vende të botës.
mit/NOA