English

Investim i rëndësishëm për ndryshimet e klimës

Banka Botërore dhe Shqipëria shikojnë mundësitë për rritjen e rezistencës së bujqësisë ndaj ndryshimeve klimatike

Tirana, 3 mars 2011 NOA - Banka Botërore, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (MBUMK) dhe Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave (MMPAU) po punojnë së bashku për të rritur rezistencën ndaj ndryshimeve klimatike të sistemeve bujqësore në Shqipëri përmes Programit Rajonal për Uljen e Cenueshmërisë nga Ndryshimet Klimatike në Sistemet Bujqësore të EAQ-së.

Përmes këtij bashkëpunimi, është realizuar një analizë e thellë e efektit të parashikuar të ndryshimit klimatik mbi bujqësinë dhe janë identifikuar politikat, programet dhe investimet kyçe që mund të ndihmojnë në uljen e cenueshmërisë së sektorit bujqësor shqiptar nga ndryshimi i klimës.

Në kuadër të këtij programi, Banka Botërore, MBUMK dhe MMPAU organizuan bashkërisht më datë 3 mars një Konferencë Kombëtare të Nivelit të Lartë për Shpërndarjen e Informacionit dhe Arritjen e Konsensusit në Tiranë.

“Ndihma për vendet si Shqipëria që këto të përgatiten për ndryshimin e klimës është një prej prioriteteve rajonale dhe globale të Bankës Botërore. Kjo konferencë përbën një mundësi të madhe për qeverinë dhe popullin e Shqipërisë, për të vendosur prioritetet për zbatim mes politikave, programeve dhe investimeve,” tha Dina Umali-Deininger, Menaxhere Sektori për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore të Bankës Botërore.

Kjo konferencë ishte hapi më i fundit në kuadër të programit Për të Ulur Cenueshmërinë nga Ndryshimi i Klimës i Sistemeve Bujqësore Shqiptare, i cili nisi zyrtarisht në Shqipëri në maj 2009.

“Nisur nga përvoja e të dhënat e grumbulluara si dhe analizat dhe vlerësimet e bëra, ndryshimet e pritshme klimatike ndikojnë në një masë të madhe sidomos sigurimin e ushqimit për popullsinë më të varfër rurale dhe rritjen ekonomike në zonat më vulnerabël. Në të njëjtën kohë, këto ndryshime mund të krijojnë edhe mundësi të reja për fermerët në zona apo mikrozona agro-klimatike dhe vendi ynë është një shembull tipik për larminë e tyre në raport me madhësinë e territorit,” tha SH.T. Genc Ruli, Ministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Përmes programit, gjatë dy vjetëve të fundit, është zhvilluar një Seminar Pune Kombëtar Ndërgjegjësimi dhe Konsultimi, janë hartuar dy studime për Bujqësinë dhe Ndryshimin e Klimës në Shqipëri, janë zhvilluar shumë konsultime me fermerë në të katër zonat agro-ekologjike në Shqipëri dhe është nxjerrë një Projektvlerësim i Efektit dhe Meny e Mundësive për Përshtatje për sistemet bujqësore shqiptare. Projektvlerësimi i Efektit dhe Menyja e Mundësive për Përshtatje është hartuar në partneritet midis ekspertëve dhe fermerëve në vend dhe një ekipi ekspertësh të nivelit botëror nga Evropa dhe Amerika e Veriut nga shoqëria konsulente “Industrial Economics Incorporated (IEc)”. Projekt-dokumenti u diskutua me grupet kyçe të interesit në nivel qendror dhe vendor gjatë Konferencës Kombëtare për Shpërndarjen e Informacionit dhe Arritjen e Konsensusit, nga e cila po prioritizohen dhe finalizohen në bashkëpunim të plotë me MBUMK-në rekomandimet kyçe për politikat, programet dhe investimet.

Duke pranuar se bujqësia është tejet e rëndësishme për mjetet e jetesës së fshatarëve në Shqipëri dhe tejet e cenueshme nga ndryshimi i klimës, Programi punon për të zhvilluar masat e duhura të përshtatjes për ta ulur cenueshmërinë e sistemeve bujqësore të Shqipërisë nga ndryshimi i klimës.

Sipas Fatmir Mediu, Ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, “Komunikimi i Dytë Kombëtar (KDK) i Shqipërisë, si detyrim ndaj Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, i publikuar në vitin 2009 përfaqëson edhe dokumentin kryesor të politikave, që vlerëson ndikimin e ndryshimeve klimatike. Ndërkohë Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave ka filluar përgatitjet për hartimin e Komunikimit të Tretë Kombëtar, ku kërkohet një gjithëpërfshirje dhe bashkëpunim i sektorëve të energjisë, industrisë, bujqësisë, pyjeve, mbetjeve, transportit etj.”

Umali-Deininger theksoi se, “Përmbytjet rrënuese të kohëve të fundit në Shqipëri e vënë theksin te cenueshmëria e sektorit bujqësor nga luhatjet dhe ndryshimi i klimës në vend dhe nënvizojnë nevojën për të vënë në jetë masat e duhura për përshtatjen për të ndihmuar në uljen e kësaj cenueshmërie.”

Parashikimet e klimës tregojnë se temperaturat në Shqipëri do të rriten, ndërsa reshjet do të pakësohen dhe do të bëhen më të luhatshme, duke çuar në rritjen e numrit të ngjarjeve ekstreme siç janë përmbytjet dhe thatësira dhe në ulje të rendimenteve të parashikuara bujqësore, sidomos për bimë të tilla si vreshtat dhe ullinjtë.

Këto ndryshime mund të prekin ndjeshëm sistemet bujqësore të Shqipërisë dhe të kenë një ndikim negativ në mjetet e jetesës së popullsisë në fshatin shqiptar. Efektet e parashikuara të ndryshimit të klimës theksojnë nevojën për të hartuar dhe zbatuar masa të cilat mund ta rrisin rezistencën e bujqësisë ndaj rreziqeve klimatike në periudhën afatshkurtër dhe atë afatgjatë. Programi ka punuar për të identifikuar masa të cilat mund të kenë efekte pozitive të menjëhershme në sistemet bujqësore në Shqipëri, duke iu përshtatur, në të njëjtën kohë, parashikimeve të ardhshme klimatike, duke krijuar alternativa dhe rekomandime nga të cilat vetëm mund të fitosh.

Ky program administrohet nga Banka Botërore dhe mbështetet me grante të Bankës Botërore, Partneritetit Bankë Botërore-Vendet e Ulëta dhe Fondit të Besimit për Zhvillim të Qëndrueshëm nga Ana Mjedisore dhe Sociale.

e.r/NOA

KOMENTE