Prishtinë, 3 mars, NOA - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut është i shqetësuar në lidhje me eliminimin e 19 kandidatëve që kanë konkurruar për postin e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.
Pasi ky organizëm vlerëson se eliminimi kandidatëve që kanë konkurruar, pa sqarime të mjaftueshme është në kundërshtim me të drejtën për qasje të barabartë dhe shkelje e rregullave të konkursit aq më parë që gjatë konkurrimit është verifikuar nëse kandidatët i plotësojnë kushtet për konkurrim.
“Eliminimi, si thuhet në fazën e parë, të këtyre kandidatëve lë për të dyshuar në kriteret që komisioni ka pasur për bazë. Paneli përzgjedhës i BQK-së është dashur që çdo kandidati që është refuzuar t’i paraqes me shkrim arsyet e refuzimit duke pasur parasysh afatet ligjore për kundërshtim të vendimit të panelit nga kandidatët që janë refuzuar”, citon deklarata e KMDLNJ-së.
KMDLNj, po ashtu shprehu shqetësimin në lidhje me transparencën e pamjaftueshme të panelit shqyrtues të aplikimeve. Sipas informatave që ka KMDLNj del se paneli nuk ka qenë dhe vazhdon të mos jetë transparent. Gjithashtu, procedurat e ndjekura nga ky panel kanë mundësuar trajtim jo të barabartë të kandidatëve.
n.e/NOA