Prishtinë, 3 mars 2011, NOA – Një djalë pesë-vjeçar ndërsa po flinte gjumë në dhomën e tij në shtëpi është rrëmbyr sot në mëngjes në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Ngjarja e rëndë që alarmoi familjen e fëmijës ka ndodhur sot në orën 07.30 në rrugën “Hilmi Rakovica” në Prishtinë.
Policia e Kosovës pasi është informuar për rrëmbimin e fëmijës ka nisur një operacion të imtësishëm hetimi për zbulimin e personave që rrëmbyen të miturin djalin dhe gjetjen e tij dhe kthimin në gjirin e familjes.
Sipas informacioneve të para fëmija mësohet të jetë rrëmbyer nga një person me moshë madhore, ndërkohë që djali po flinte në dhomën e tij të gjumit.
Policia e Kosovës po heton të gjitha pistat e mundshme të rrëmbimit të fëmijës, porse për shkak të hetimit delikat ajo nuk bën publike detaje.
Policia e Kosovës i bën thirrje qytetarëve që nëse dinë ndonjë informacion lidhur me rastin të informojnë Policinë e Kosovës në mënyrë që të ndihmohet në zbardhjen e ngjarjes.
Qytetarët mund të kontaktojnë me policinë e Kosovës në Vala: 192, Ipko: 922, dhe fiks 092.
mit/NOA