English

Mbyllet seanca, Beqja: Qeveri hajdute; Nishani: Prit verdiktin e Kushtetueses

Tiranë, 3 mars 2011, NOA – Seanca plenare e Kuvendit është mbyllur para pak minutash pasi deputetët e mazhorancës tërhoqën fjalimet e tyre për diskutimet e lira jashtë rendit të ditës duke kërkuar që seanca të mbyllej. Por pak përpara mbylljes së seancës ishte deputeti socialist Ilir Beqja i cili pati një konfrontim me akuza me ministrin e Drejtësisë Bujar Nishani.

Beqja duke marrë fjalën akuzoi qeverinë Berisha si një qeveri hajdute.

Ai theksoi se nuk kishte frikë të thoshte se “kjo qeveri ka në përbërje hajdutë, kusarë, vrasës, matrapazë”, tha beqja duke nënvizuar se deputeti Balla u përjashtua vetëm pse quajti hajdute kryeparlamentaren.

Më tej Beqja, duke folur nga foltorja e Kuvendit tha se “Berisha i di mirë llogaritë e paligjshme të deputetëve dhe ministrave të tij, por ai vazhdon të heshtë”.

Sipas beqes janë pesë anëtarë të kabinetit Berisha që kanë llogari të dyshimta në Qipro.

“Berisha hesht pavarësisht denoncimeve për pasuritë e ministrave dhe nuk është e vështirë të vërtetohen”, tha deputeti socialist duke e akuzuar kryeministrin Berisha se vodhi votat në 28 qershor dhe vazhdon të vjedhë Shqipërinë.

Ndërkohë beqja e akuzoi kryeministrin se pas vjedhjes në 21 janar edhe vrau katër njerëz të thjeshtë.

Por duke replikuar me deputetin socialist, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani ndër të vetmit anëtarë të kabinetit Berisha që merrnin pjesë në seancë bëri me dije “ju zoti Beqja jeni i vetmi shembull në parlamentin shqiptar pas sistemit komunist ku parlamenti i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për shkelje të Kushtetutës. Ju jeni ndër miliarderët e shumtë socialistë”, tha Nishani duke i quajtur keqardhjet e deputetit socialist për varfërinë e shqiptarëve thjesht hipokrizi.

Por, deputeti socialist duke e rimarrë fjalën e cilësoi fjalinë e ministrit Nishani si presion të hapur ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe ndaj tij.

“Nishani bëre akuzë publike, i bëre presion Gjykatës Kushtetuese dhe një deputeti të Kuvendit. Ta përsëris, se ju jeni të trembur”, i kujtoi ministrit të Drejtësisë, deputeti i PS-së Ilir Beqja.

Pasi deputetët socialistë kërkuan rishtas fjalën, duke theksuar se mazhoranca po shkel të drejtën e fjalës në kuvend, seanca plenare u mbyll nga nënkryetari i Kuvendit, Adrian Turku.

Ndërkohë kryeparlamentarja Topalli ishte larguar gjatë diskutimeve të lira në kuvden, pasi i bëri thirrje deputeteve gra të opozitës, por edhe grave të deputetëve të opozitës të merrnin pjesë në një aktivitet kushtuar grave.

Pak përpara mbylljes së seancës kuvendi miratoi 11 ligje vetëm me votat e mazhorancës.

mit/NOA

KOMENTE