English

Mediu: Ndryshimet klimatike, temë prioritare në axhendën globale mjedisore

Tiranë, 3 mars, NOA - Çështja e ndryshimeve klimatike, përbën sot një temë prioritare në axhendën globale mjedisore; po aq përparësi ka edhe në axhendën e qeverisë shqiptare.

Kështu u shpreh sot ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, gjatë një konference të mbajtur në Tiranë rreth ndryshimeve të pritshme të klimës.

Sipas tij, ndryshimet negative të temperaturave dhe shpeshtësia e fenomeneve ekstreme si përmbytjet, valët e të nxehtit apo zjarret në pyje, janë kthyer në premisa me pasoja, veçanërisht të shtresës më të prekshme: popullatës me të ardhura më të pakta.

“Këto ndryshime klimatike do të shoqërohen padyshim me më pak siguri në ushqimet tona, më shumë shumë përhapje të sëmundjeve, degradim i tokave, përshpejtim i erozionit, kërcënim i diversitetit biologjik dhe zhdukjen e disa llojeve të florës e faunës, \\ etj”, tha Mediu.

Duke shtuar se në këtë kuptim, përpjekjet për të integruar në të gjitha fushat e vendit, masat ndaj ndryshimeve klimatike dhe hartimi i politikave efikase për të reduktuar vulnerabilitetin në sistemin e bujqësisë duhet të jenë më të forta se kurrë.

“Është evident fakti, që globalizmi ka rritur në mënyrë të ndjeshme rolin e aktorëve të shumtë dhe vendim-marrjes së zgjeruar.

Padyshim ne flasim për sektorin e bujqësisë, por kjo kërkon një përqasje me të gjerë institucionale dhe politike. Kjo sigurisht i bën mirë vlerësimit korrekt të problematikës mjedisore, asaj globale, rajonale dhe vendit tonë në mënyrë të veçantë, duke qenë se toka dhe ujërat janë pasuria dhe përgjegjësia jonë e përbashkët”, theksoi më pas Mediu.

n.e/NOA

KOMENTE