Prishtinë, 3 mars 2011, NOA – Një ditë pas sulmit në Frankfurt të kosovarit Arid Uka mbi ushtarët amerikanë, Presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli i dërgoi sot një telegram ngushëllimi Presidentit amerikan Barack Obama, duke shprehur dhimbjen e thellë për vrasjen e dy ushtarëve amerikanë dhe plagosjen e dy të tjerëve, në sulmin vrastar, që u shënua të mërkurën në terminalin e Frankfurtit në Gjermani. Në telegramin e tij drejtuar shefit të Shtëpisë së Bardhë, kreu i Kosovës shkruan se “Në emër të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, ju shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjeve dhe miqve të viktimave, si dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, përderisa ju vajtoni vdekjen e dy pilotëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 2 mars në Frankfurt”.
“Jam i pikëlluar dhe i zemëruar nga ky sulm, i cili u mori jetën dy amerikanëve dhe po lutemi për shërimin e shpejtë të atyre që janë plagosur. I tërë populli i Republikës së Kosovës shpreh njëzëri dhimbjen e tij për ata që e kanë humbur jetën”, shkruan Presidenti Pacolli.
Presidenti i Kosovës e dënon me forcë këtë akt vrastar duke theksuar se siguria e Kosovës është varur shumë nga sakrifica e këtyre ushtarëve amerikanë trima.
“Këtë akt të tmerrshëm të dhunës e dënoj në mënyrën më të fuqishme. Të dy ushtarët kanë luftuar dhe e kanë sakrifikuar jetën e tyre për vlerat universale të amerikanëve dhe të kombeve demokratike të tjera të botës, përfshirë Kosovën. Populli i Kosovës i kupton shumë mirë sakrificën dhe përkushtimin e ushtarakëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë shërbyer në Kosovë që nga viti 1999”, thotë më tej zoti Pacolli.
Ai i bën me dije Presidentit Obama se “Ekzistenca dhe siguria e jonë është varur shumë nga këtë trima, të cilët e kanë lënë jetën e tyre të rehatshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar në sigurinë dhe rindërtimin e Kosovës”, përfundon mesazhin e tij të ngushëllimit, Presidenti i Kosovës.
Po sot Presidenti i Kosovës ka lënë një shënin edhe në librin e ngushëllimeve të çelur në ambasadën amerikane në Kosovë për nder të dy pilotëve amerikanë të vrarë dje në Frankfurt.
Në librin e zisë, Presidenti Pacolli në emër të popullit të Kosovës, u shprehu ngushëllimet më të thella familjeve dhe popullit amerikan për jetët e humbura të dy pilotëve të vrarë në një akt makabër.
mit/NOA