E enjte, 3 mars 2011, NOA- Kosovari Arid Uka, i cili pranoi vrasjen e dy ushtarëve Amerikanë në aeroportin e Frankfurtit dyshohet se është mysliman radikal.
Ministri i brendshëm Gjerman i Landit Hesse, Boris Rajn, tha se, “Informacioni që kemi mbledhur nga Interneti tregon se kemi të bëjmë me një mysliman radikal dhe këtë e tregon për shembull profili i tij në një prej mediave sociale, ku ai shfaqet si islamist. Duket se gjatë disa javëve të fundit ai ka filluar të përdorë një emër të ashtuquajtur luftëtari islamik. Më duket se emri i tij i ri është Abu Reyyan."
Prokurorët federalë gjermanë filluan hetimet rreth incidentit sot në mëngjes dhe po bashkëpunojnë me policinë e Frankfurtit, atë federale si dhe me hetues amerikanë.
“Ne kemi tani një numër të shtuar patrullash policie si me uniformë ashtu edhe pa uniformë, të cilët patrullojnë me xhaketa antiplumb dhe me armë automatike,” tha Armin Til, zëdhënës i policisë në Aeroportin e Frankfurtit.
Zëdhënësi i policisë së Frankfurtit, Jyrgen Linker u tha gazetarëve se një ushtarak i forcës ajrore amerikane, i cili u plagos në kokë, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë ndërsa ushtaraku tjetër i plagosur nuk është në rrezik për jetën,
Ushtarakët amerikanë ishin të stacionuar në Britani dhe po shkonin në Bazën Ajrore të Ramshtajnit prej nga do të dislokoheshin për të mbështetur një operacion diku tjetër, thanë zyrtarët e ushtrisë amerikane.
a.y/ NOA