English

Rikthim në vitin e tragjedisë

"Tashmë, është e qartë për të gjithë, se ngjarja e rëndë në Gërdec, e cila mori jetët e 26 qytetarëve të pafajshëm dhe plagosi e i la sakat për jetë dhjetëra të tjerë, ishte pasojë e korrupsionit shtetëror të Qeverisë së Sali Berishës, i cili është implikuar personalisht, vetë, kokë e këmbë, me sojë e sorollop, së bashku me disa beniamin të tij, që janë ende edhe sot, deputet në këtë sallë, apo më keq akoma, ministra në krah të Saliut".

Nga Pirro Lutaj*

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSH dhe Agjencisë së NATO-s për mirëmbajtjen dhe furnizimin (NAMSA) për demontimin e municioneve”, që na keni sjell sot për miratim, përveçse është shumë i vonuar, na kthen vetvetiu tek dita e zezë e 15 Marsit 2008. Pra pas pak ditësh, në datën 15 Mars, mbushen plot 3 vjet, nga tragjedia e pa shembull që ndodhi në Gërdec, 15 km larg Tiranës, atje ku në mënyrën më të pakuptimtë ju zotërinj që qeverisni ende, ngritët fabrikën e vdekjes me pretendimin se do të bënit.

Demontimin e armatimit dhe municionit të tepërt që ndodhesh nëpër depot e ushtrisë.

Askush nuk mund ta konceptojë, pse ju e ngritët “fabrikën e demontimit” të armatimit -alias fabrikën e vdekjes- në Gërdec, jashtë institucioneve të posaçme dhe të mirë specializuara për ta kryer këtë proces.

Ju zotërinj, por edhe opinioni publik, nëse jeni të interesuar, do të gjeni nëpër diskutimet e asaj kohe, në komision, apo këtu në séancë plenare, insistimin tonë të përhershëm, që demontimi i armatimit dhe municionit të dalë tepër për shkak të riorganizimit të FA, duhet të bëhej domosdoshmërish nëpër uzinat e ngritura posaçërisht për këtë qëllim, në Mjekës, Poliçan dhe Gramsh, ashtu siç parashikohet sot, në paragrafin 7-të, të relacionit bashkëlidhur këtij projektligji.

Tashmë, është e qartë për të gjithë, se ngjarja e rëndë në Gërdec, e cila mori jetët e 26 qytetarëve të pafajshëm dhe plagosi e i la sakat për jetë dhjetëra të tjerë, ishte pasojë e korrupsionit shtetëror të Qeverisë së Sali Berishës, i cili është implikuar personalisht, vetë, kokë e këmbë, me sojë e sorollop, së bashku me disa beniamin të tij, që janë ende edhe sot, deputet në këtë sallë, apo më keq akoma, ministra në krah të Saliut.

Nuk besoj që ndonjë njeri në këtë vend, opozitar apo opozitar qoftë, ta quaj normal faktin që sot pas gati 3 vjetësh, nuk kemi asnjë person të shpallur përgjegjës, për atë ngjarje të rëndë, e cila për nga pasojat që solli, nuk tronditi vetëm Shqipërinë.

Jo vetëm kaq, por qeveria vrastare e Gërdecit 2008, u riciklua në mënyrë kriminale më 28 Qershor 2009, nëpërmjet grabitjes së votave, apo më keq akoma nëpërmjet trafikimit të saj e nga një palo parti, përfaqësuesit e së cilës i thyen tribunat duke ulëritur se i donin votat për të larguar nga pushteti Sali Gërdecin, por tashmë, janë ulur në prehrin e Saliut dhe përbëjnë koalicionin e kusarisë, me bllok në dorë si në kohën e taksidarëve.

Zotërinj, kolegë ! Ne po diskutojmë sot një projekt, që ka të bëjë me demontimin e municioneve, për të cilën po e them që në fillim të herës se PS dhe gjithë opozita parimisht nuk kemi asnjë kundërshtim. Ajo që dua të them unë është fakti, që kjo marrëveshje është shumë e vonuar, sepse NAMSA (Agjencia e NATO-s për mbështetje dhe mirëmbajtje), ka filluar të operojë në territorin Shqiptar qysh në vitin 2007.

Pyetja që shtrohet është, pse kjo kërkesë tani, gati në fund të procesit të demontimit? Shumëkush në Shqipëri e ka një përgjigje për këtë dhe përgjigja është e thjeshtë: Juve, nuk ju interesonte demontimi, por përfitimi.

Mos harroni ama, madje po u theksoj përsëri mos harroni, se përfitimi juaj, prej të babëzituri, u kushtojë qytetarëve shqiptar, siç thashë më lart, jo pak, por 26 të vrarë, dhjetëra të plagosur dhe miliona euro dëme materiale.

Po kështu, vetvetiu lind pyetja tjetër: A keni ju zotërinj një plan kombëtar të demilitarizimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, apo i jeni referuar thjesht një plani të tillë që ka paraqitur MM ?

A keni një pasqyrë të qartë për parat që keni harxhuar nga buxheti i MM, për demontimin e municioneve qysh nga fillimi i këtij procesi ?

Kjo pyetje lind natyrshëm, kur shohim situatën në FA të cilat, edhe pse në disa raste operojnë nëpër misione të përbashkëta me ushtarake të forcave aleate, trajtimi dhe paisjet e tyre nuk janë të të njëjtit nivel. Nga sa e njohim gjendjen ne, por referuar edhe relacionit që shoqëron këtë projektligj, rezulton se ju do të vazhdoni ta keni jashtë vëmendjes këtë problem jetikë për efektivat e FA.

Një problem tjetër që më nxiti të diskutoj në këtë seancë, është edhe fakti se qeveria ka sjellë sot, për miratim akte që kanë të bëjnë me demontimin e municioneve dhe përdorimin civil të lëndëve plasëse. Unë nuk e kuptojë mirë, se ç’ përfaqësojnë këto dy nisma të qeverisë së Sali Berishës, pikërisht sot pak ditë përpara. 15 Marsit dhe pak ditë pas 21 Janarit.

Prandaj me njëherë më shkon mendja ashtu si shumë shqiptarëve, tek Gërdeci i familjes së tij, apo përdorimi i lëndëve helmuese, prej ”jeniçerëve” të tij, ndaj demonstruesve paqësor të opozitës shqiptare.

Po kështu, shoh të shfaqet sot para syve tanë dhe të opinionit publik, egërsia e pushtetit vrastar të Lulëzim Bashës, i cili drejtonte dhe zbrazte armët e zjarrit në drejtim të qytetarëve të pafajshëm, në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, duke marrë jetët e pafajshme të 4 martirëve Faik Myrtaj, Ziver Veizi, Hekuran Deda e Aleks Nika, si dhe plagosur dhjetëra të tjerë.

Jam i bindur se shumë shqiptar, por në mënyrë të veçantë prindërit apo të afërmit e miqve të mi dhe ish veprimtarëve të spikatur të PS Fatmir Xhindi në Fier dhe Remzi Veseli në Kukës, nuk do të kishin aspak dëshirë të na dëgjonin sot këtu që ne kolegët e të ndjerëve që përmenda më sipër, të diskutojmë për çështje të municioneve apo të eksplozioneve, para se ata, të dëgjonin nga goja e Sali Berishës apo e Lulëzim Bashës, çfarë mund të na thonë këta të fundit, për përdorimin e armëve të zjarrit në mes të ditës dhe në prag të shtëpisë, si pasojë e të cilave humbasin jetën qytetarët shqiptar, qofshin këta politikanë apo biznesmenë, të zgjedhur vendore apo qytetarë të thjeshtë.

Zotërinj ! Ne i respektojmë iniciativat e Qeverisë për fuqizimin e elementëve të sigurisë kombëtare, përshirë këtu edhe projektin në fjalë, por nuk mund të harrojmë se me të njëjtën mënyrë tinëzare dhe aspak transparente, kjo qeveri gjatë këtyre 5-6 vjetëve të qeverisjes së saj, ka paraqitur dhe miratuar në Parlament akte të rëndësishme të cilat kanë patur të bëjnë me armatimin dhe municionin në Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që pas tyre kanë dalë në dritën e diellit skandale të pa treguara, duke e bërë Shqipërinë gazi i botës.

Të përgjegjshëm për gjithçka thash më lartë, në anëtarët e komisionit parlamentar për sigurinë kombëtare të opozitës, kemi kërkuar dhe presim të vijë për të raportuar në këtë komision Ministrinë e Mbrojtjes lidhur me Lajmin e bërë publik në raportin vjetor të OKB-së (2010) për eksport-importet e armëve në botë.

Duke e mbyllur fjalën time, mund të them se projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet KM të RSH dhe NAMSA-s, për demontimin e municioneve”, duhet ti shërbej përfundimit të këtij procesi me pasoja të dhimbshme për shumë familje shqiptare dhe jo banorëve që shfaqen hera-herës, pas çdo tregtie apo kontrabande armësh.

*Fjala e deputetit të PS-së, Pirro Lutaj në seacën e sotme në Kuvend.

KOMENTE