English

Tension në Kuvend, akuza Topallit, opozita i afrohet podiumit

Tiranë, 3 mars 2011, NOA – Deputetët e opozitës i janë afruar foltores së Kuvendit duke akuzuar kryeparlamentaren Jozefina Topalli se ka shkelur rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën. Tensioni i deputetëve të opozitës erdhi menjehërë pas rinisjes së seancës plenare, ku nënkryetari i grupit socialist Erion Braçe i kërkoi kryetares së Kuvendit të dëgjojë vendimin e Grupit Socialist pas përjashtimit të deputetit taulat Balla për tri javë nga seancat e Kuvendit.

Deputeti Braçe i tha kryetares së Kuvendit, se “Zonja Topalli keni shkelur rëndë Kushtetutën”.

“Ju keni bërë akuzuesen e deputetëve të Partisë Socialiste”, theksoi ai.

Por kryeparlamentarja Topalli ia ndërpreu fjalën deputetit Braçe duke i thënë se ai po diskuton jashtë rregullores.

Në këtë moment zonja Topalli ka vijuar seancën me votimin e projektligjeve në rendin e ditës, një vendim ky që ka irrituar deputetët e opozitës, të cilët i janë afruar podiumit të Kuvendit.

Megjithatë kryetarja e Kuvendit ka vijuar thirrjen dhe miratimin nen për nen të 11 prtojektligjeve, vetëm me votat e mazhorancës.

Kryeparlamentarja Topalli tha se “Kemi kaluar 11 ligje shumë të rëndësishme”, mes të cilëve ai për marrëveshjen me NATO-n, ai për demontimin e municioneve. “Respektojmë vetëm rregulloren”, tha Topalli, duke ironizuar deputetët e opozitës të cilët protestonin pranë podiumit.

Më pas kryetarja e Kuvendit pas miratimit të ligjeve hapi diskutimet e lira për çështjen e fundit të rendit të ditës.

mit/NOA

KOMENTE