English

Thaçi: Ushtari amerikan sublimon vlerat e popullit tim

Prishtinë, 3 mars 2011, NOA – “Veprimi i asnjë individi nuk mund të dëmtojë marrëdhëniet e mira mes SHBA-ve dhe Kosovës, miqësinë e përjetshme mes popullit të Kosovës dhe popullit amerikan”, deklaroi sot Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, duke iu referuar sulmit të djeshëm kur 21-vjeçari Arid Uka vrau dy ushtarë amerikanë dhe plagosi dy të tjerë në terminalin e aeroportit të Frankfurtit në Gjermani. Kryeministri i Kosovës e bëri këtë deklaratë pas nënshkrimit në librin e ngushëllimeve për dy pilotët amerikanë i hapur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Duke folur për mediat, shefi i qeverisë së Kosovës vlerësoi se “Ushtari amerikan sublimon, paraqet edhe vlerat e popullit tim, të paqes dhe lirisë së vendit dhe popullit tim”.

Kryeministri Thaçi ritheksoi se “Edhe një herë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në emër të popullit të Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Presidentit Obama, qeverisë së SHBA-ve dhe popullit amerikan për tragjedinë që ndodhi dje në Frankfurt”.

Duke shprehur dhimbjen për ushtarët amerikanë dhe mirënjohjen e madhe për SHBA-të, Thaçi nënvizoi se “Miqësia jonë është e përjetshme, është shumë e thellë, është miqësi e vlerave euroatlantike”.

mit/NOA

KOMENTE