English

Topalli çel me femrat sportiste “Javën e Gruas”

Tiranë, 3 mars 2011, NOA- Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, pasditen e sotme çeli “Javën e Gruas”.

Lidhur me këtë aktivitet, Topalli takoi sportistet femra nga fusha të ndryshme të sportit që gjatë jetës së tyre kanë shënuar sukses.

Gjatë fjalës me to kryeparlamentarja tha se, askush nuk lufton më tepër se gratë për lirinë dhe për të drejtat e mohuara.

Ky ka qenë takimi i parë i cili pritet të shoqërohet me disa të tjerë në ditët në vijim.

Sipas saj forca e femrës është shtysë për gjithë shoqërinë dhe për ndryshimet që ndodhin në të.

"Me përkushtimin e saj për shtëpinë, familjen, punët, me kujdesin për fëmijët, për sportin, për artin, për arsimin ajo ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e 20 viteve të fundit të demokracisë. Askush më shumë se gruaja, nuk e kërkon dhe nuk lufton për të drejtat dhe liritë. Askush më e vendosur se sa gruaja, nuk kërkon atë që ajo beson, atë që është më e mira për fëmijën e vet, për të cilën ka një dashuri të pakushtëzuar. Vetëm gratë mund të kenë dashuri të pakushtëzuar për vajzën, djalin dhe familjen", u shpreh kryeparlamentarja.

Ndërsa gratë e opozitës do të protestojnë në 8 mars, Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli deklaroi se pikërisht në këtë datë do të shënohet kulmi i aktiviteteve të “Javës së Gruas”, duke u argumentuar prej saj me arsyen e 100 vjetorit të 8 marsit.

Në 100 Vjetorin e luftës për të drejtat e grave, në Kuvendin e Shqipërisë u mblodhën sportistet e mirënjohura, si Klodiana Shala, atletja rekordmene e Evropës, qitësja Diana Mataj, kampione e Evropës, peshëngritësja rekordmene botërore Fetije Kasa , kampionia kombëtare në not, Rovena Marku, e para drejtuese e Institutit të Fizkulturës Flutura Celkola, shahistja kampion Rozana Gjergji, e para femër parashutiste në Shqipëri, zonja Flora Toto, kampionia Lumturi Markolaj, dhe emra të tjerë, krenari e sportit shqiptar.

a.y/NOA

KOMENTE