Budapest, 3 mars, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi ndodhet sot për një vizitë zyrtare dy ditore në Republikën e Hungarisë në krye të një delegacioni, në përbërjen e të cilit, gjendet dhe një grup i rëndësishëm biznesmenësh shqiptarë. Në axhendën e Presidentit të Republikës parashikohen takime me drejtuesit më të lartë të shtetit hungarez, presidentin Pal Shmit, kryeministrin Viktor Orban si dhe kryetarin e Asamblesë Kombëtare (Parlamentit), Lazlo Këver.
Temë qendrore e bisedimeve do të jenë perspektiva e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë, duke nënvizuar rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe të shkëmbimeve tregtare, intensifikimin e investimeve të biznesmenëve hungarezë në sektorë jetikë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, si infrastruktura, energjetika, turizmi, etj.
Gjatë qëndrimit të tij në Hungari, kryetari i shtetit shqiptar do të vendosë një kurorë në Sheshin e Heronjve të Budapestit dhe më pas, do të zhvillojë gjithashtu një takim me përfaqësues të diasporës shqiptare në Republikën e Hungarisë.
n.e/NOA